Prodhuesit kërkojnë saktësimin e referencave doganore
08/02/2010 Konfindustria letër Ministrisë së Financave për marrjen e masave dhe mbrojtjen e vendasve
Konfindustria, bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj nga shumë sektorë industrialë të vendit, vëren me shqetësim dhe në mënyrë të përsëritur, se sistemi i referencave doganore po godet ashpër prodhimin vendor shqiptar, duke favorizuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë prodhimet e importit. “Janë prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e përpunimit të profileve të hekurit dhe llamarinave, industria e prodhimit të letrës, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike, etj”, është shprehur në një deklaratë për mediat administratori i saj Gjergj Buxhuku. Sipas tij, Konfindustria prej disa muajsh i ka i kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së përgjithshme të Doganave për të ndërhyrë në kohë sa më të shpejtë për të përmirësuar gjendjen e rëndë të krijuar për industritë shqiptare nga sistemi i referencave doganore të zërit “prodhim i gatshëm” të importit, shumë prej të cilave janë mjaft më të ulëta sesa vlerat e tregut ndërkombëtar. Por ai shton se deri më sot nuk ka veprime të prekshme për përmirësimin e gjendjes.
“Gjendja është bërë edhe më tepër shqetësuese, kur pas ndryshimeve të fundit të kryera në muajt gush-shtator 2009 nga Drejtoria e përgjithshme e Doganave, ndërkohë që kemi rritje të konsiderueshme të referencave doganore të lëndëve të para të importit, për mjaft prodhime të mbaruara të të njëjtit tip çmimet kanë mbetur pa ndryshuar duke qenë në nivele ndjeshëm të ulëta krahësimisht çmimeve ndërkombëtare”, tha Buxhuku. Sipas tij, bazuar në të dhënat zyrtare ende pothuaj 30% e çdoganimeve në Shqipëri bëhen sipas referencave të paravendosura. “Zbatimi i sistemit të referencave doganore krijon edhe hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion nga autoritetet doganore, që shfaqen në konflikt të qartë interesi si vendimmarrës dhe njëkohësisht zbatues të çmimeve të referencave”, nënvizon përfaqësuesi i Konfindustrisë.