E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjidhja e krizës, kërkesat e Ramës antikushtetuese”

08/02/2010  Zv/kryeministri Meta komenton deklaratat e liderit të PS-së
Kreu i selisë rozë nuk heq dorë nga hapja e kutive dhe protestat
Antikushtetuese dhe një përkthim të keq të rekomandimeve ndërkombëtare i ka cilësuar numri dy i Qeverisë, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta lidhur me kërkesat e PS-së për hapjen e kutive. Gjatë një prononcimi për mediat, ai ka deklaruar se pavarësisht se Shqipëria ka institucione të qëndrueshme, të cilat nuk funksionojnë në mënyrë perfekte, që të gjithë duhet të respektojnë rregullat e lojës të përcaktuara nga kuadri kushtetues i vendit dhe logjika demokratike. “Kushdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimet e tij, por edhe ka të drejtë të shikojë ëndrra me sy hapur. Absolutisht që cilido që del jashtë realitetit, jashtë normalitetit dhe jashtë logjikës demokratike, dhe njëkohësisht që i lexon së mbrapshti mesazhet e qytetarëve shqiptarë dhe të komunitetit ndërkombëtar, veçse vetëdëmtohet, por kurrsesi nuk i ndal dot proceset demokratizuese, europianizuese dhe integruese të Shqipërisë në realizmin e mëtejshëm të aspiratave të tyre”, tha zëvendëskryeministri. Duke e cilësuar fatkeq kreun e PS-së Edi Ramën, që sipas Metës del nga realiteti, ai theksoi mesazhin e tij dhe të Qeverisë që ai përfaqëson. “Mesazhi ynë mbetet gjithmonë, gjithëpërfshirja duke respektuar rregullat e lojës demokratike, duke respektuar kuadrin kushtetues dhe institucional të vendit dhe njëkohësisht duke zhvilluar një dialog, i cili ka në themelet e tij interesat më të mira për vendin dhe për gjithë qytetarët shqiptarë”, vijoi ai. Në interes të medias mbi suksesin e tryezës që do të drejtohet nga Presidenti i Republikës, ai shmangu komentet ndaj këtij të fundit, por ritheksoi vullnetin e Kryeministrit Berisha për të ofruar garanci demokratike për opozitën. “Shpreh bindjen time personale që mazhoranca është plotësisht e vullnetshme për t’i qëndruar me seriozitet të gjitha pikave të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe njëkohësisht është absolutisht shumë e qetë për të vazhduar programin e saj të reformave, i cili nuk mund të ndalet nga asgjë, por që është shumë i rëndësishëm, sepse në radhë të parë absolutisht u shërben interesave të gjithë qytetarëve shqiptarë”, deklaroi ai. Në këtë kontekst, numri një i diplomacisë shqiptare u shpreh optimist për ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave. Për këtë, ai njoftoi se po punohet me intensitet për të përmbyllur gjithë procesin e pyetësorit dhe më pas për të ecur edhe drejt statusit të vendit kandidat. “Proceset do të ecin përpara, asgjë nuk i ndalon dot”, nënvizoi Meta. Ai i dha fund edhe ndonjë hamendësimi mbi mundësinë e krijimit të një grupi parlamentar, në përbërje të të cilit do të përfshiheshin deputetët e LSI-së dhe deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS. “LSI-ja nuk ka qëllim të shtojë grupin e saj parlamentar me manovra të cilat nuk janë aspak të preferuara nga ana e jonë. Ne kemi një marrëveshje me PD-në dhe jemi të bindur se kjo Qeveri do të përmbushë të gjitha angazhimet e saj deri më 28 qershor të vitit 2013”, përfundoi numri dy i ekzekutivit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›