E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda katër viteve të ardhshme niveli i varfërisë do të zbresë në 10%


Konteksti aktual i skemës së ndihmës ekonomike


Niveli i varfërisë brënda katër viteve të ardhshme do të reduktohet në 10% të popullsisë dhe nga skema e ndihmës ekonomike do të përfitojnë rreth 70 mijë familje, nga të cilat 35 mijë në qytet. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, tha se në Strategjinë sektoriale të mbrojtjes sociale 2007-2013, përcaktohen objektiva ambiciozë për garantimin e përfshirjes të individëve dhe familjeve në nevojë dhe mbulimin e nevojave në përputhje me vijën e varfërisë prej 2 dollarë në ditë për person. Duke e konsideruar tashmë tërësisht të reformuar programin e ndihmës ekonomike, Naço vlerësoi se “në ndryshim nga viti 2005, sot kemi një hartë të nivelit të varfërisë si dokument bazë, ku përcaktohet përqindja e popullsisë me nën 2 dollarë në ditë për person për çdo bashki/komunë”. Kjo hartë shërben për programimin e fondeve për çdo njësi vendore, të cilat dërgohen si grante të kushtëzuara që në fillim të vitit. Aktualisht numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike është 93 mijë, ku bëjnë pjesë rreth 430 mijë banorë ose rreth 14 % e popullsisë, nga 18 % që ishte në 2005 ( 597 mijë/persona) dhe 25 % në vitin 2002 (825 mijë/persona). Sipas Naços, ulja e numrit të familjeve dhe rritja e fondeve buxhetore në ndryshim nga praktikat e mëparshme ka ndikuar në rritjen e masës mesatare të ndihmës për familje. Edhe raporti i fundit i publikuar nga INSTAT, dëshmon se “Shqipëria sot, ka mbi 200 mijë të varfër më pak”. Në vitin 2005 fatura e ndihmës sociale ishte gjithsej 7 miliardë lekë, ndërkohë që sot kjo ndihmë kap shumën 15 miliardë lekë në muaj, pra është rritur me 110 për qind. Ndër të tjera Qeveria po përgatit një skemë të re për shpërndarjen e ndihmës ekonomike, që do të mbulojë familjet më në nevojë.


Masa mesatare e ndihmës llogaritet sot dy herë më shumë krahasuar me 2007-n


Ndihma ekonomike ka filluar të kushtëzohet me punë komunitare dhe rezultatet, sipas drejtorit Naço, kanë qënë të dukshme. Në disa raste, gati gjysma e numrit të familjeve nuk kanë pranuar të marrin pjesë në punë komunitare. “Për pasojë, sipas rregullave, ato janë larguar nga skema”, tha Naço, sipas të cilit, kushtëzimi i ndihmës ekonomike është një ndër problemet që duhet të zbatohet nga njësitë vendore në përputhje me detyrimet ligjore. Kjo do ta bejë skemën dinamike dhe aktive. Ndihma ekonomike për grupet dhe familjet në nevojë është një program që financohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Përgjegjësia për realizimin e tij është e dyfishtë. Pushteti qëndror bën politikat, vlerëson varfërinë dhe programon fondet në përputhje me disa kritere nacionale, ndërsa Njësitë e Qeverisje Vendore në përputhje me këto kritere, identifikojnë familjet e varfëra dhe kryerjen shpërndarjen e ndihmës.


Qarqet që trajtojnë më shumë familje në skemën e ndihmës


Programi i Ndihmës Ekonomike mbështet me pagesë mujore familjet pa të ardhura apo me të ardhura të pamjaftueshme. Për këtë program për vitin 2009 janë dhënë 4.2 miliardë lekë ose 81% e nevojave nga buxheti i shtetit kundrejt 3.5 miliardë lekë ose 61% e nevojave që janë akorduar për këtë program për vitin 2008 ose për 700 milion lekë më shumë. Nga ky program për vitin 2009 përfitojnë rreth 93 500 familje të varfëra në qytet dhe në zonat rurale nga rreth 101.000 familje që kanë përfituar për vitin 2008. Kërkesat e paraqitura nga njësitë vendore për vitin 2009, janë për të përfshirë në skemën e ndihmes ekonomike 97 000 familje. Në këtë mënyrë mbështeten rreth 96% e familjeve në nevojë. Ndihma Ekonomike jepet 40% në zonat urbane dhe 60% në zonat rurale. Qarqet me varfëri më të madhe, të cilat kanë dhe numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike dhe ku akordohen rreth 82.4% e fondeve, janë Shkodra me 16,4%, Dibra me 13,8%, Kukësi me 12,6%, Tirana me 12%, Elbasani me 11 %, Lezha me 8,9% dhe Korça me 7.7% të fondeve në total që akordohen nga buxheti i shtetit për programin e ndihmës ekonomike. Këto qarqe kanë dhe numrin më të madh të familjeve në skemen e ndihmës ekonomike. Kështu Qarku i Shkodrës aktualisht trajton në skemën e ndihmës ekonomike rreth 16 000 familje, Dibra rreth 12 875 familje, Elbasani rreth 12 065 familje, Kukësi rreth 11 030 familje, Tirana rreth 10 000 familje, Korça rreth 9 358 familje dhe Lezha rreth 7 855 familje


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›