Brenda një mandati, u dyfishuan pagat e mësuesve
Kryeministri Berisha uron arsimtarët në të gjithë vendin me rastin e Ditës së 7 Marsit
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha uroi dje të gjithë mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë me rastin e Ditës së 7 Marsit. Gjatë fjalës së tij në një takim të organizuar në mjediset e Pallatit të Kongreseve me rastin e kësaj dite, duke shprehur nderimin e thellë, dhe admirimin e më të madh dhe të qeverisë shqiptare për mësueset dhe mësuesit, pedagoget dhe pedagogët e vendit, që kontribuuan në edukimin dhe formimin qytetar të fëmijëve shqiptarë, kryeministri vlerësoi se shkolla është vatra e dytë e ngrohtë familjare, vatra e dijes dhe e formimit profesional të fëmijëve tanë.
Duke u ndalur në mbajtjen e premtimit për dyfishimin e pagave të arsimtarëve brenda mandatit të parë të kësaj qeverie, kryeministri Berisha u shpreh se çdo mësues i këtij vendi është i sigurt se më 1 maj të vitit 2009 rroga e tij do të jetë dy herë më e lartë se në vitin 2005.
“Çdo mësues i këtij vendi është i sigurt se më 1 maj të vitit 2009 rroga e tij do të jetë dy herë më e lartë se në vitin 2005. Mësuesit po ndryshojnë, Shqipëria po ndryshon. Por unë jam këtu për t’u zotuar se në mandatin tim të dytë, mësuesi do të jetë në piedestalin që i takon dhe rritja e madhe e rrogave dhe mundësitë e tjera për punë, kualifikim, strehim do të jenë motoja jonë. Katër vitet që vijnë do të ketë një rritje të madhe të rrogave se sa rritja që patëm në mandatin e parë. Katër vjet më parë unë në këtë sallë jam zotuar para shqiptarëve se dyfishimi i buxhetit për arsimin do të jetë objektivi ynë madhor. Sot dal me kënaqësi para jush se premtimi u mbajt plotësisht. Vetëm buxheti i vitit 2009 është 44 miliardë lekë kundrejt 33 miliardë lekë që u shpenzuan në këtë sektor në katër vite 2001-2004 të marra së bashku. Shkolla moderne është dhe do të mbetet motoja e qeverisë sime. Sot pas katër vjetësh premtimi ynë është shndërruar në realitet”, u shpreh Kryeministri.
Berisha theksoi më tej se në 4 vjet qeveria ka rritur me 2.2 herë investimet në arsimin e lartë, ka katërfishuar buxhetin e kërkimeve shkencore dhe ka akorduar një numër të madh vendesh të reja, njëherazi po aplikohet programi Brain Gain, Fondin e Ekselencës. Një nxitje të madhe ka marrë sektorin privat i arsimit universitar.
Sipas kryeministrit sot Shqipëria numëron 115 mijë studentë kundër vetëm 52 mijë që numëronte në vitin 2005.
“Pra është mbi dyfishuar numri i tyre. Ne jemi komb i ri standardi evropian është 40 studentë për 1000 banorë. Në 2005 ne ishim 12-14 studentë për 1 mijë banorë, sot kemi mbi 30 studentë për 1 mijë banorë. Unë ju garantoj ju se në mandatin e dytë Shqipëria do të ketë mbi 40 studentë për 1 mijë banorë”, nënvizoi Berisha.