Shpërblimi i korçarëve për Edi Ramën, “përtej së majtës e të djathtës” është vetëm “Shën Triada”

Shënime për vizitën e vetmuar të kreut të PS-së në Korçë, me rastin e 122-vjetorit të Mësonjëtores së parë Shqipe
KORÇE - Nuk është aspak çudi. Gjithkujt mund t’i ndodhë që të mendojë se dikë e ka mikun me të mirë dhe nëse troket në derën e tij porta hapet kanat më kanat. Ky iluzion mund të vijë edhe për hatër të kulturës që ka pasur tjetri (miku), sepse nuk ka dashur të të fyejë dhe ka bërë adetet e tij dhe për këtë arsye tjetri (mysafiri) është iluzionuar, duke menduar se ka qenë i vlefshëm. Por (bujtësi apo miku), në të vërtetë nis ta kuptojë, vetëm kur troket sërish në portën e mikut dhe kur vëren se ajo derë nuk hapet më. Fatkeqësisht në të tilla raste zhgënjimi është tepër i madh, sepse miku i pa mikpritur fillon të mendojë se për çfarë arsyesh ndodhi kështu, nis të mendojë se kush e kishte fajin, mikpritësi apo bujtësi. Pavarësisht nga të gjitha këto, gjithkush në raste të tilla kupton se “ajo miqësi” nuk kishte ekzistuar kurrë, madje kurrë ndonjëherë...
... Me këtë zhgënjim është përballur Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste, krijues i qëndrës së ideve “Qemal Stafa”, ditën e shtunë, kur mbërriti në qytetin e Korçës për të qenë i pranishëm mes mësuesve ditën e 7 marsit.
Ndodhi kështu, sepse çdo korçarë e pa se ky udhëheqës që shikon “përtej së majtës dhe së djathtës” ishte i detyruar të shëtiste i vetëm në rrugët e Korçës. Gjithkush e pa, se ai më shumë se për të bërë top-modelin nuk ishte i interesuar për asgjë tjetër. Gjithsecili në Korçë e vuri re se Edi Rama nuk ishte gjë tjetër veçse një fyerje e madhe për Mësonjëtoren e Parë shqipe të Korçës.
Çdo banor i këtij qyteti konstatoi lehtësisht re se ky udhëheqës u prit vetëm nga një grup i vogël mësuesish. Për të gjitha këto arsye, për askënd nuk ekzistonte më dyshimi se qyteti i Korçës e priti Edi Ramën me ironinë e tij...
Zhgënjimi i parë...
Kur tullumbacja e fryrë pëlcet
pa e shpuar askush me gjilpërë
Fillimisht, mëngjesin e së shtunës, Edi Rama u pa të shëtisë nga sheshi përballë Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës në drejtim të sheshit kryesor të qytetit, ose në drejtim të Mësonjëtores së parë Shqipe dhe anasjellas (Mund të ketë qenë dhe në vende të tjetra, por ato që nuk i kemi parë, s’kemi pse të pretendojmë që i dimë).
Ajo çka u vu re kishte të bënte me faktin se shëtitja e tij ishte tepër pompoze, si një aktor i vërtet hollivudian, ku në çdo hap që bënte dukej sikur do t’i dilnin përpara njerëz të shumtë që ta takonin, t’i kërkonin autograf, ta përqafonin dhe të bisedonin një çast me liderin e madh që shikonte “përtej së majtës dhe së djathtës”, madje edhe përtej çdo ngjyre. (Thonë se edhe Krishti dhe Muhameti kishin një ideologji, kurse lideri i socialistëve nuk ka asgjë të tillë).
Dhe ndërsa pritej që ata njerëz, që ekzistojnë “përtej së majtës dhe së djathtës” t’i dilnin përpara, u vu re vetëm shëtitja fillikate e Edi Ramës.
Në të vërtetë shëtitja e tij nuk ishte dhe kaq vetmitare, sepse shoqërohej nga Kryebashkiaku Niko Peleshi, dhe deputetët Ben Blushi dhe Pandeli Majko. Shoqëria e këtyre të fundit për korçarët nuk ishte edhe aq e pakuptueshme, sepse gjithkush e dinte që ata donin të tregonin se edhe në legjislaturën e ardhshme do të jenë sërish në listat e kandidatëve të deputetëve të Edi Ramës. Ishin të detyruar të silleshin kështu, sepse Ben Blushi akuzohet nga njerëz të familjes së tij ( të PS) për përçarje fetare, ndërsa Pandeli Majko si një njeri që nuk mund ta fitojë dot më Libonikun, zonën e tij elektorale. Ndërkohë edhe kryebashkiaku Niko Peleshi duhej ta bënte këtë shëtitje, për të treguar se nuk ishte as me Ilir Metën dhe as me Fatos Nanon, i cili e përzgjodhi si kandidat për kryetar bashkie gati një vit para se të bëheshin zgjedhjet për pushtetin lokal, në një takim me studentët e universitetit “Fan Noli” të Korçës.
Si në kohën e diktatorit Enver Hoxha, kur ky i fundit delte dorë më dorë me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun, edhe “ata të katër”, synonin të tregonin unitetin e pathyeshëm parti – popull “përtej së majtës dhe së djathtës”. ( Këto gjëra ndoshta më pak se kudo, nuk shkojnë hiç në qytetin e Korçës).
Njerëzit që i ndiqnin nga dritaret e lokaleve ( që më shumë u shijonte një kafe për qejf të vet) nisën të tregonin barsoleta, përsëri për qejfin e tyre, madje edhe duke pyetur se në ç’vend ekzistojnë plazhet nudo, sepse tashmë në kohët moderne asgjë nuk konsiderohet turp. E
megjithatë edhe pse në pamje të parë dukej sikur Korça do të derdhej drejt, “përtej së majtës dhe së djathtës”, ajo çka u vu re kishte të bënte me faktin se sa i papërfillur ishte lideri i” përtej së majtës dhe së djathtës”. Tullumbacja ishte shfryrë pa e shpuar aksuh me gjilpërë.
Ndoshta do të ishte më interesante të dilte ndonjë demokrat e të bënte ndonjë replikë me “ata të katër”, se sa mos t’ia varnin fare, njësoj sikur të mos gjendeshin fare në Korçë.
Zhgënjimi i dytë...
“Përtej së majtës dhe së djathtës”
është vetëm “Shën Triada”
Ka njerëz që thonë se kjo ideja “përtej së majtës dhe të djathtës”, “u pëlqen shumë”, por ditën e shtunë, me rastin e 7 marsit, u vu re se “përtej së së majtës dhe së djathtës”, mund të gjesh vetëm shkretëtirën e Gobit diku nga Mongoli apo Kina, ashtu siç mund të gjesh çdo shkretëtirë tjetër me ndonjë emer tjetër... Nuk është çudi që në mes kësaj shkretëtirë të gjesh edhe “Gobin e Nurihanit” të Kadaresë, por që edhe kjo plakë mjerane e komunizmit, nuk do të pranonte kurrsesi të pohonte se nuk e dinte se çfarë është, e majtë apo e djathtë.
Ah, po, “përtej së majtës dhe së djathtës” mund të gjesh alienë ose ufo.
Shumë kush mendon se “përtej së majtës dhe së djathtës” mund të gjesh gjyshërit tanë që flenë përjetësisht në “Shën Triadë”, ku të lodhur nga jeta, ende nuk e kanë marrë vesh që ka ardhur një lider që interesohet për jetën e amshuar, ku të gjithë janë njësoj: edhe ata që kanë dosje dhe ata që nuk kanë; edhe ata që kanë mëkate dhe ata që nuk kanë; edhe ata që kanë pasur baballarët në oborrin e bllokmenëve dhe ata që nuk i kanë pasur, edhe ata që janë pushkatuar dhe ata që kanë qenë pushkatonjës; edhe ata që mashtrojnë çdo ditë edhe ata që ndihen të fyer nga mashtrimet; edhe ata që akuzojnë nënat dhe baballarët dhe ata që u përkushtohen etërve të tyre...
Kjo ide do ta bënte të pëlciste në vend jo vetëm Leninin dhe Stalinin, por edhe Marksi do të vdiste për të njëmijtën herë.
Edhe kjo hyrje ishte tepër e gjatë dhe e panevojshme, por politika e re “përtej së majtës dhe së djathtës”, bëri që Edi Rama të pritej nga një grup i vogël mësuesish.
Nëse do t’i pyesje këta të fundit, vetëm “përtej së majtës dhe së djathtës” nuk do ta duronin dot veten, sepse përtej kësaj ka vetëm “Shën Triadë”.
Dhe jo vetëm kaq, ndërsa udhëheqësi i kësaj politike doli nga Mësonjëtorja e parë Shqipe, askush nuk e ndoqi pas, qoftë edhe një hap të vetëm. Duket se kështu e ka politika “përtej së majtës dhe së djathtës” .
Zhgënjimi i tretë...
Këtë herë jo i Edi Ramës,
por i mikpritësve korçarë
Udhëheqësi i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë këtij takimi gjeti mundësinë t’u drejtohej edhe mësuesve që gjeti në Mësonjëtoren e parë Shqipe. Gjithçka që tha nga fillimi në fund kishte të bënte me politikën e “përtej së majtës dhe së djathtës” Me këtë formulë do të zgjidhte analfabetizmin, ngritjen e rrogave të mësuesve, blerjen e librave etj. Ajo që nuk kuptohej nga të pranishmit kishte të bënte me pyetjen: “Mirë bre vëllaçko, po ce bre thua ti se ekzistojnë modele arsimi ‘përtej së majtës dhe se djathtës’, se edhe kaq të veçantë, s’ kemi arsye pse të jemi?!”. “Si thua, bre vëllaçko, kam frikë se po të jemi kaq ndryshe bota do të na quajë të sëmurë”. “Le që ç’ më duhet mua, po të më marrë koka erë e të besoj Edi Ramën, unë tani nuk jam më, as i majtë dhe as i djathtë…”.
Kur fjalimet në oborrin e Mësonjëtores së Parë Shqipe morën fund, udhëheqësi i Partisë Socialiste, Edi Rama, hyri në muzeun e mësonjëtores për të parë nga afër këtë muze, sepse në fund të fundit për këtë gjë kishte lënë punët e rëndësishme, dhe kishte ardhur në Korçë. Veç kësaj në këtë muze ishte hapur një ekspozitë e veçantë, gjithë mëngjesin ishte frekuentuar nga mësues të rinj e të vjetër, pra kishte diçka për të parë, veç kësaj lideri i “përtej së majtës dhe së djathtës” nuk do të shikonte vetëm abetaren e të madhit Naum Veqilharxhi, edhe pse ai si euridit që është mund ta kishte parë dhe më parë, por adetet e kërkojnë që edhe miku duhet të respektojë mikpritësin.
Po çfarë ndodhi në të vërtetë?
Rama kaloi vetëm portën, bëri vetëm një hap brenda ndërtesës dhe pastaj doli.
Nuk dihet se çfarë ideje i lindi në atë çast, që kishte të bënte me politikën “përtej së majtës dhe së djathtës”, por e vërteta është se hoqi dorë nga vizita e muzeut dhe largua prej kësaj ndërtese të nderuar.
Që të gjithë ata që u gjendën aty (kuptohet ishin mikpritësit), mbeten jo vetëm të habitur dhe të hutuar, por edhe të aksafisur.
“Ndoshta kështu e ka politika e re”, tha njëri nga të pranishmit...
Nëse ndodhin gjëra të tilla, atëherë nuk e ka fajin mikpritësi, nëse ndodh që nuk të pret për herë të dytë.
Duket se gjëra të tilla (fyerja e mikut) ka ndodhur edhe më parë, madje është kjo arsyeja që Edi Rama, nëpër rrugët e Korçës bëri vetëm top-modelin, por jo liderin e “përtej së majtës dhe së djathtës”