E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brenda pak ditësh AKKP nis shpërndarjen e këstit të parë”



Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Elvis Cefa ka bërë me dije se agjencia do të bëjë shpërndarjen e këstit të parë për pronarët e prekur nga legalizimet brenda disa ditëve. Ai u shpreh se me hyrjen e vendimit të Qeverisë të fuqi të datës 19 maj, i cili tashmë është botuar në fletoren zyrtare, AKKP është gati për shpërndarjen e këstit të parë dhe të ndjekjes së procedurave të kërkuara nga vendimi i Qeverisë. Ai u shpreh se shpërndarja e këstit që parë, që do të jenë në masën midis 10 deri në 20 për qind, do të bëhet pa asnjë pengesë. "Sipas informacioneve me ALUIZNI-n shifra i kalon mbi 1 miliard lekë të reja e cila do të shpërndahet këtë radhë. Kjo do të jetë rreth 10% ose 20% e parave që shteti do u japë këtyre ish-pronarëve. Të gjithë subjektet që janë në ato lista do të kenë mundësi të marrin këstin e parë të parave të tyre", tha Cefa. Me hyrje në fuqi të vendimeve të Qeverisë, AKKP do të bëjë shpërndarjen e fondit për mëse 2 mijë ish pronarë pasi ata të kenë dorëzuar kërkesën në AKKP. "Janë tashmë 6 vendime të Këshillit të Ministrave që përcaktojnë listën dhe shumën përkatëse kundrejt çdo emri. AKKP me VKM e miratuar para pak ditëve do bëjë thjesht rolin e arkëtarit në shpërndarjen e parave për këta persona", shtoi Cefa. Sipas tij, pavarësisht aplikimit paratë për të gjithë ish pronarët e njohur me vendim Qeverie janë në fondin special të kompensimit, pra e drejta për tu kompensuar nuk humbet. Ky do të jetë kësti i parë për pronarët e prekur nga procesi i legalizimeve, toka e të cilëve është zënë në ndërtime pa leje nga palë të treta. Kompensimi i tyre do të jetë i lidhur direk me procesin e legalizimeve të nderimeve informale. çdo fond që do të krijohet nga ky proces do të kalojë në llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave e cila më pas bën shpërndarjen e tyre. Ende nuk ka një kosto të përgjithshme se sa para do ti duhen shtetit për të kompensuar të gjithë këtë kategori pronarësh. Gjithsesi ALUIZNI ka bërë më dije se procesi po ecën me shpejtësi në legalizimin e ndërtimeve informale, duke bërë që deri tani të mblidhen 10 milionë euro për ish pronarët në një kohë kur vetëm një e treta e procesit të legalizimeve ka përfunduar. Zyrtarët janë optimist se fondet e mbledhura nga ky proces do të mjaftojë për të gjithë pronarët e kësaj kategorie, që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar pasi tokat e tyre janë zënë nga ndërtime pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›