E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronarët, kësti i parë 10 deri 20 %



Vendimi përkatës i Qeverisë për procedurën e shpërndarjes së fondit të kompensimit të mëse 2 mijë ish pronarëve ka hyrë në fuqi, dhe brenda 30 ditëve, përfituesit duhet të marrin këstin e parë të parave të cilin do e shpërndajë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Mësohet se AKKP-ja ka marrë në administrim fondin prej afërsisht 10 milionë eurosh që do tu shpërndahet 2 mijë përfituesve, që u janë miratuar emrat në Qeveri. Por nisur nga sasia e parave, do të ketë edhe një llogaritje për sasi e këstit të parë, i cili mendohet të jetë nga 10 deri në 20 për qind, në varësi të sasisë së parave që janë në dispozicion. Përfituesit, tashmë do të duhet të plotësojnë një kërkesë të thjeshtë ku duhet të shënojnë emrin e tyre si dhe datën e vendimit të Qeverisë kur ata kanë përfituar të drejtën e kompensimit financiar. Me bërjen e kësaj kërkese pronarët duhet të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të bërë një verifikim. Sipas vendimit të Qeverisë, AKKP-ja ka ngritur një grup të posaçëm pune për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Procesi i regjistrimit dhe pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 ditë. AKKP-ja do të bëjë një njoftim nëpërmjet medias për nisjen e procedurës dhe në njoftim do të përcaktohet gjeneraliteti i përfituesit, periudha kohore e paraqitjes së kërkesës, dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës, vlera e tarifës së shërbimit si dhe detyrimi për subjektet përfituese dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Subjektet, brenda afatit të përcaktuar duhet të paraqesin të gjithë dokumentacionin e kërkuar në vendimin e Qeverisë, si kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip, bashkëlidhur këtij vendimi, dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare, ku do të transferohet vlera financiare e përfituar, fotokopjen e dokumentit të identifikimit. Në këtë mënyrë, pronarët më pas do të kenë në llogaritë e tyre bankare këstin e parë të kompensimit financiar. Ende nuk është bërë e ditur se kur mund të merret kësti i dytë për këtë kategori, por Qeveria ka premtuar se çdo fond që krijohet nga procesi i legalizimeve do të kalojë në ngarkim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të bërë kompensimin e pronarëve. Më shumë se një e treta e ndërtimeve pa leje është bërë në tokë të huaj, çka ligjorit pronarët e atyre trojeve duhet të kompensohen financiarisht. Me anë të tarifave të procesit të legalizimit, Qeveria shpreson që të kompensojë 100 për qind të pronarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›