Shtesat pa leje, del formulari i legalizimit
Qeveria miraton formularin e ri të legalizimit të shtesave pa leje në objektet e legalizuara.
Prej datës 1 korrik ka hyrë në fuqi vendimi i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave "për kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së Legalizimit". Në këtë vendim përcaktohet procedura që duhet ndjekur për të gjithë qytetarët, të cilët do të legalizojnë shtesat pa leje.
Legalizimi i shtesave
Në nenin e parë të këtij vendimi parashikohet se legalizimi i shtesës pa leje kryhet në rastet kur qytetari ka deklaruar në mënyrë vullnetare brenda afatit objektin e ri (gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e ligjit të legalizimeve); kur shtesa nuk është në një zonë në të cilën nuk lejohet legalizimi (bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga); si dhe në rastet kur ka kryer pagesën e parashikuar në vendimin e Qeverisë për ndërtimin me leje. Më pas, drejtoritë e ALUIZNI-t në rrethe publikojnë në media shtesat pa leje që do të kualifikohen për t'u legalizuar, hartojnë dokumentacionin teknik dhe llogarisin detyrimin financiar që do të paguajë qytetari. "Drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë qarqeve, pas kualifikimit për legalizim të objekteve informale/shtesave pa leje në ndërtime me leje lidhin kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore, nga shteti te poseduesi i objektit informal/shtesës pa leje në ndërtim me leje", thuhet më tej në vendimin e Qeverisë. Në të njëjtën kohë, drejtorisë qendrore i dërgohet dokumentacioni i objektit dhe nga ana e tij ALUIZNI në Tiranë certifikon dokumentacionin e dërguar, plotëson procesverbalin e certifikimit dhe lëshon lejen e legalizimit.
Formulari
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi është publikuar edhe formulari që do të plotësojnë zyrat e drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t së bashku me qytetarët për legalizimin e shtesave pa leje. Kështu duke iu referuar ligjit të legalizimeve në formular bëhet përshkrimi i saktë i objektit që do të vazhdojë procedurat e formalizimit. Konkretisht në këtë dokument kërkohet sipërfaqja e parcelës ndërtimore, sipërfaqja e ndërtimit, sipërfaqja totale e ndërtimit, e specifikuar për banim dhe për aktivitet, numri i kateve mbi tokë dhe nën tokë, si dhe objektet e tjera me të cilat kufizohet kjo pronë në të katër anët. "Leja e legalizimit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim, dërgohen pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, nga drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë qarqeve", thuhet më tej në vendim.