“Procesi i pajisjes me pasaporta biometrike dhe karta identiteti po shkon drejt përfundimit”
Flet zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka deklaruar procesi me pajisje me pasaporta biometrike dhe karta identiteti po ecën normalisht. Në një prononcim për media zëvendësministri Poni ka theksuar se aktualisht janë 3.1 milion shqiptarë që kanë në duart e tyre kartën e identitetit, nga të cilët 2.3 milion edhe pasaportën biometrike. Ndër sa për ankesën e disa qytetarëve për vonesa në marrjen e pasaportës biometrike, tashmë duket se ky proces po shkon drejt përfundimit, zëvendësministri i Brendshëm, Poni ka deklaruar se jo vetëm që nuk ka vonesa, por gjithçka po kryhet brenda afateve të përcaktuara kohore. Por në këtë pikë zëvendësministri Poni ka sqaruar se nuk duhet ngatërruar nga qytetarët koha e aplikimit për pasaportë biometrike me kohën e verifikimit të të dhënave në polici.
Sipas tij “kemi mbi 3.1 milion pasaporta e karta identiteti të aplikuara dhe të prodhuara. Nuk duhet të ngatërrojmë kohën e verifikimit në polici, kjo është periudhë tjetër, dhe nuk është e përfshirë në 15 ditë e përcaktuara. Dy javët janë nga aplikimi dhe marrja e saj”, deklaroi Poni.
Ndërkohë zëvendësministri i Brendshëm nënvizoi se përveç katër sporteleve që janë ngritur në Greqi dhe në Itali për aplikimin e pasaportave biometrike nga emigrantët shqiptarë, është parashikuar që në vjeshtën e këtij viti të hapet një zyrë edhe në Nju Jork. “në shtator ose tetor do të kemi një zyrë në Shtetet e Bashkuara, ku qytetarët mund të bëjnë aplikimin atje ku janë pa ardhur nga një vend në një vend tjetër”, nënvizoi Poni. Pajisja e të gjithë qytetarëve shqiptarë me dokumente biometrike të identitetit është garanci më shumë për qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithatë Poni thotë se kjo u arrit edhe në zgjedhjet e shkuara të 2009-tës, kur 1.4 milion shqiptarë u pajisën me karta identiteti, në kushtet kur në votim marrin pjesë rreth 1.5 milion votues.