Brenda vitit, Shqipëria hyn në "Schengen"
Ministri i Jashtëm Ilir Meta, jep garanci të plota për liberalizimin e vizave
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u shpreh sot se Shqipëria gëzon të gjitha mundësitë për të përfituar liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, brenda këtij viti. Duke konfirmuar zotimin e qeverisë shqiptare, Meta tha do të realizohet çdo reformë, për të konkretizuar sa më shpejt, hyrjen e Shqipërisë në “Schengen”. Këtë deklaratë Meta e bëri gjatë një prononcimi për shtyp pas takimit me koordinatorin e qeverisë për veriun e Kosovës Ylber Hysa.
Garancinë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë e dha dje edhe ministri i Jashtëm spanjoll, Migel Moratinos, vendi i të cilin ka presidencën e radhës të BE. Kryediplomati spanjoll tha se vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën do të merret në një samit të posaçëm që do të zhvillohet në muajin qershor të këtij viti. Moratinos tha se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e prioriteteve të BE-së”.