E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjergj Bojaxhi emërohet në krye të Inspektoriatit të Ndërtimit, Qeveria shpreh besim të plotë, për neutralizimin e ndërtimeve pa leje dhe shkeljet urbanistike

Një nga funksionarët e lartë të Partisë Demokratike, ish kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, është emëruar në krye të Inspektoriatit të Ndërtimit. Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi, u shpreh gjatë prezantimit se emërimi i z.Bojaxhi do t’i japë një dimension të ri Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, për të penalizuar ndërtimet pa leje dhe shkeljet urbanistike në të gjithë Shqipërinë, më specifikisht në Tiranë. “Jam i bindur që zoti Bojaxhi do t’i japë përmasën e duhur Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik sikurse thonë ‘me pinca bëri shumë punë’, me bulldozerë do bëjë akoma më shumë”, u shpreh ministri Olldashi, gjatë vlerësimit të tij, duke iu referuar punës së mëparshme që zoti Gjergj Bojaxhi ka bërë si drejtor i KESH. Sipas Olldashit, situata e ndërtimeve pa leje në të gjithë hapësirën e vendit, është një kancer i vërtetë. “Madje kjo sëmundje pas individëve, ka zënë edhe institucionet. Situata është e tillë që nuk kemi më individë, qytetarët që ndërtojnë në mënyrë ekstraligjore, por kemi filluar së fundmi të kemi edhe institucione të pushtetit vendor që po abuzojnë me ligjin dhe po ndërtojnë në mënyrë të paligjshme. Besoj se qëndrimi duhet të jetë njësoj për të dyja palët. Ndaj shkeljes së ligjit janë të gjithë njësoj, si qytetarët ashtu dhe institucionet”, tha Olldashi. “Unë e shikoj fenomenin e ndërtimeve pa leje si një kancer që vazhdon të deformojë hapësirat urbane në qytetet dhe fshatrat tona, si një evazion fiskal i cili është i dukshëm dhe që rëndon drejtpërdrejtë në arkat e pushtetit lokal. Inspektoriati do të ketë zona prioritare si akset rrugore, akset energjitike, parqet kombëtare, kurora e gjelbër e kryeqytetit të vendit si dhe zonën e bregdetit, peisazhi i të cilës është një pasuri kombëtare dhe ne në mënyrë sistematike do ta pastrojmë nga ndërtimet pa leje”, tha Bojaxhi. Emërimi i zotit Bojaxhi, si kreu i Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit përkon edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të urbanistikës, i cili i jep kompetenca të reja atij. Gjergj Bojaxhi dha dorëheqjen nga drejtimi i KESH në shtator 2009, duke e cilësuar misionin e tij në korporatë si plotësisht të realizuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›