“Brenda vitit, qytetarët shqiptarë do lëvizin të lirë në hapësirën ‘Schengen’”
Ambasadorja e Shqipërisë në BE, Mimoza Halimi “Brenda këtij viti qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin të lirë në Bashkimin Europian”. Këtë garanci dha ambasadorja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Mimoza Halimi. Ajo tha se qeveria ka përmbushur kushtet e Komisionit Evropian dhe se i takon këtij institucioni të Brukselit që të japë aprovimin për renditjen e Shqipërisë në listën e bardhë të “Schengenit”. Ambasadorja e Shqipërisë në BE, ka deklaruar gjithashtu se Belgjika, vendi i cili udhëheq Presidencën e radhës të BE, është një ndër vendet e cila mbështet plotësisht proceset e integrimit. Ambasadorja Halimi ka sqaruar mjaft mirë edhe të gjithë procedurën se si do të duhet të veprojnë shqiptarët pas liberalizmit të vizave. Në aspekt ajo theksoi se shtetasit shqiptarë do kenë të drejtë të qëndrojnë në vendet e BE-së 90 ditë në 180 të tilla. Duke iu referuar marrjes së statusit të vendit kandidat, ambasadorja shqiptare në Bashkimin Evropian ka theksuar se stabiliteti politik, është një nga kriteret e rëndësishme të Kopenhagenit, çka do të thotë se klasa politike në Shqipëri duhet të lerë mënjanë inatet e vjetra dhe t’i nënshtrohet projektit të madh të integrimit.
...