E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Edi Rama, plan për grabitjen e votave në Bashkinë e Tiranës

Këshilltarët e Partisë Demokratike denoncojnë si abuzive dhe shkelje të privatësisë, pyetësorin e Bashkisë së Tiranës


Këshilltarët e djathtë të Bashkisë së Tiranës akuzojnë Edi Ramën se po përdor anketat e pyetësorit të adresave në llogari të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Nëpërmjet zëdhënëses Blegina Agolli, këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, shprehën në një prononcim për mediat, shqetësimin mbi anketën e pyetësorit të Bashkisë, e cila, sipas saj, prek fshehtësinë e votës. “Para disa kohësh është denoncuar nga Partia Demokratike një pyetësor i Bashkisë së Tiranës, por ajo që është e re në këtë pyetësor është fakti, që bashkë me pyetësorin, bëhet një anketim”, tha Agolli. Sipas saj, truku i këtij anketimi është që, nëpërmjet adresës që e shkruan vetë qytetari, në anketimin e bashkangjitur ditëve të fundit këtij pyetësori, përveç pyetjeve mbi punën e Bashkisë, kryetarit të Bashkisë, infrastrukturës etj, janë edhe të dhënat e plota të qytetarit. Agolli theksoi se nëpërmjet kësaj ankete bëhen testime jo thjesht për opinionin e qytetarëve për punën e Bashkisë, por për prirjet dhe qëndrimet e tyre për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke prekur shenjtërinë e votës. “Ky akt abuziv është në vazhdën e abuzimeve të tjera, qoftë me fondet, por dhe me aspektin kryesor që lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve lokale”- tha më tej ajo. Zëdhënësja e grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Blegina Agolli, i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë dhe stafit të Bashkisë të heqë dorë nga praktika të tilla, të cilat cenojnë rëndë privatësinë e qytetarëve dhe njëherazi diktojë orientimin elektoral të tyre, në prag të zgjedhjeve vendore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›