Berisha-Ramës: Shqiptarët duan integrimin, prano dialogun dhe njih zgjedhjet

Meta: Shqipëria, pranë BE, në vjeshtë fitojmë statusin kandidat
Kreu i qeverisë Sali Berisha kujton edhe njëherë se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi i Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian. Gjatë fjalës së tij të rastit në konferencën e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, kryeministri Berisha vërejti se Shqipëria ka shënuar progres të madh në rrugën e integrimit, duke veçuar këtu realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Lidhur me qëndrimin e opozitës kryeministri u shpreh se mbetet e papranueshme propotenca e pabazë e Partisë Socialiste, ndonëse u shpreh i gatshëm për nisjen e dialogut. “BE përbën një projekt që ka nga shqiptarët mbështetjen më të madhe se çdo projekt tjetër. Shqipëria ka shënuar progres të madh, zhvilloi zgjedhje të lira e të ndershme. Pa këtë mekanizëm, integrimi do ishte një horizont që largohej prej tyre. Pavarësisht debateve, asnjë qeveri, asnjë institucion nuk ka vënë në diskutim se shqiptarët në 28 qershor shprehën vullnetin e tyre lirisht. Prandaj ne nuk lejojmë prepotencën e opozitës. Janë bërë propozime për dialog me opozitën. Por kjo nuk është çështje mes meje dhe liderit të opozitës, pasi me të kam realizuar reformat më të thella në karrierën politike, por është çështja e respektimit të standardeve dhe të ligjeve të vendit. Ne jemi të hapur për dialog"- u shpreh Berisha.
Meta: Shqipëria, pranë BE, në vjeshtë fitojmë statusin kandidat
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka vlerësuar progresin e politikës së jashtme, në afrimin e vendit me strukturat e integrimit të BE. Në vijim të punimeve të konferencës së ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, Meta u ndal te integrimi i Shqipërisë, duke theksuar se jemi shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat. “Shqipëria tashmë është më pranë se kurrë BE-së. Ne shumë shpejt do të fitojmë statusin e vendit kandidat. Progres i jashtëzakonshëm është bërë edhe me përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave. Heqja e vizave do të bëhet realitet shumë shpejt. Prioritet i politikës së jashtme shqiptare është integrimi dhe anëtarësimi në BE”- u shpreh Meta. Kryediplomati shqiptar iu referua gjerësisht në fjalën e tij, çështjes së Kosovës, për të cilën deklaroi se do vazhdojnë njohjet të cilat do shton edhe më tej. “Diplomacia jonë është në bashkëpunim me SHBA, Britaninë, Gjermaninë e Francën për të ndihmuar Kosovën në sfidat e saj. Kosova duhet të konsolidojë shtetin demokratik dhe bashkëjetesën etnike. Bashkëpunimi rajonal mund të jetë i plotë vetëm me pjesëmarrjen e të gjithëve”- vuri në dukje zv/kryeministri shqiptar. Ai theksoi më tej se me Serbinë, Shqipëria ka qëndrime të ndryshme për Kosovën. Meta vuri në dukje se rezoluta e Serbisë në OKB për Kosovën ishte e nxituar dhe konfirmoi se Shqipëria nuk do paraqesë një rezolutë të njëanshme. “Qëndrimi ynë është i qartë se, mes Serbisë e Kosovës duhet të ketë dialog konstruktiv për përmirësimin e cilësisë së jetës pa dallim etnik. Ndjejmë keqardhje që Serbia pas shpalljes së opinionit të GJND paraqiti një rezolutë në OKB që për ne përbën hap të nxituar. Shqipëria nuk ka në plan të paraqesë në mënyrë të njëanshme një rezolutë, por është në unison të plotë me përpjekje e SHBA-së që kërkojnë një rezolutë të mirë konstruktuar që nuk sjell konflikte, por konsolidon paqen”- deklaroi më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta.
...