E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brenda vitit shqiptarët do të udhëtojnë pa nevojën e vizave”

09/04/2010 Ministri i Jashtëm Ilir Meta flet për liberalizimin e vizave me BE-në

Deklarata pas takimit me koordinatorin e Qeverisë së Kosovës për veriun

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, ka deklaruar dje se institucionet përgjegjëse të Bashkimit Evropian do të japin brenda këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Në komentin e tij ndaj deklaratës së fundit të eurodeputetet Doris Pack, e cila ka thënë se Shqipëria është përpara Bosnjë-Hercegovinës me plotësimin e kritereve, Meta ka thënë se kjo është përgjigjja më e mirë në lidhje me angazhimin e Qeverisë. “Kam thënë prej kohësh se Shqipëria jo vetëm ka bërë një progres spektakolar, që njihet nga të gjithë në drejtim të liberalizmit të vizave, gjë që e konfirmoi edhe delegacioni i europarlamentarëve të Evropës Juglindore pak ditë më parë në Tiranë. Absolutisht është plotësisht e sigurt se Shqipëria dhe shqiptarët do ta fitojnë liberalizimin e vizave brenda këtij viti, pikërisht për shkak të këtij progresi të jashtëzakonshëm që është bërë në të katër blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar shefi i diplomacisë shqiptare. Ministri Meta ka bërë këtë deklaratë pas takimit që pati me koordinatorin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e Strategjisë për veriun e Kosovës, Ylber Hysa. Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, numri dy i Qeverisë ka shprehur bindjen se tashmë Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, që ka krijuar një klimë të re dhe të shëndetshme në fushën e sigurisë, të ekonomisë, të marrëdhënieve ndëretnike jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Ministri Meta rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Shqipërisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si kusht vendimtar për stabilitetin rajonal e më gjerë.

Vizita në Gjermani

Ministri i Jashtëm Ilir Meta, gjatë vizitës së tij të fundit në Gjermani, zhvilloi takime të veçanta me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Peter Amon dhe Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Klaus Dieter-Fritche. Gjatë takimit në Ministrinë e Brendshme gjermane, biseda u përqendrua në procesin e liberalizimit të vizave, ku u bë dhe një pasqyrë e hollësishme e reformave. Nga ana e tij, Fritche u shpreh se progresi i dukshëm që ka arritur Shqipëria në të katër blloqet e udhërrëfyesit është një lajm që konfirmohet edhe nga Presidenti i Policisë Federale gjermane pas vizitës së tij në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›