E Hënë, 2 Nëntor 2026

Breshëri automatiku tri minuta pas tritolit

18/02/2005  Vrasja e Aliajt. Shoqërohen dhe dëshmojnë shumë banorë

Vetëm tri-katër minuta pas shpërthimit të eksplozivit në banesën e Riza Aliajt, që pasoi me humbjen e jetës së mësuesit, atentatorët kanë qëlluar me automatik në ajër në qendër të qytetit. Hedhja në erë e shtëpisë i ka bërë të mendojnë vrasësit se ia kanë arritur qëllimit, kanë eliminuar shënjestrën e kërkuar dhe pas kësaj janë larguar në drejtim të panjohur nga policia. Autorët kanë "festuar" në një mënyrë të ashpër, duke shtuar terrorin në qytetin e Bajram Currit. Burime nga Komisariati i Tropojës, thonë se janë shoqëruar shumë persona dhe kanë dëshmuar rreth ngjarjes. Ndihma e tyre ka qenë jo e paktë për hetimin, por ende nuk është identifikuar ndonjë nga autorët e mundshëm. Edhe nga policia e Tropojës, thuhet se është qëlluar me breshëri automatiku në qendër të qytetit pas shpërthimit të tritolit, por nuk është bërë e mundur të zbulohen autorët.

Organizimi

Dyshimet e hetuesve flasin për një atentat të organizuar, që dhe nëse nuk ka patur si shënjestër mësuesin Aliaj, ka qenë në të njëjtën lagje. Në mesditë, rreth orës 18.00 ka shpërthyer transformatori dhe zona e piketuar për të vënë eksplozivin ka mbetur në errësirë. Kjo ka shtuar mundësitë e punës së fshehtë të atentatorëve. Të parët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë qenë ekspertë të Prokurorisë dhe policia ka ardhur kohë më pas. Kjo vonesë është pak e çuditshme, sepse në Komisariatin e Tropojës prej kohësh ka të instaluar forca speciale, që e kanë bërë atë vend gatishmërie. Hetuesit pohojnë se pistat janë të shumta, por të arrihet në përcaktimin e fundit, për të vënë gisht mbi autorin, ose autorët, është ende shpejt, pasi provat dhe dëshmitë nuk ofrojnë një mundësi të tillë. Oficerët që punojnë për zbardhjen e ngjarjes, thonë se Aliaj ishte një nga qytetarët që respektohej shumë në Tropojë. Ai nuk kishte as grindje, as konflikt, as hasmëri, as hakmarrje me ndonjë familje, që të shërbente si motiv për atentatin. Kjo ka vështirësuar punën në momentet e para të hetimit.

Tritoli

Dy ditë më parë, në banesën e mësuesit të njohur Riza Aliaj, është vënë eksploziv dhe për pasojë i zoti i shtëpisë ka humbur jetën. Ekspertët pohojnë se kanë qenë afro 2 kile tritol të vendosur në derën e apartamentit të mësuesit. Një fitil i ndezur me gjatësi të konsiderueshme, që t’u jepte kohë vrasësve të largoheshin, ka aktivizuar lëndën plasëse. Në vendngjarje janë marrë gjurmët dhe pjesë të mbetura, dhe janë dërguar menjëherë në laborator për të bërë ekspertizën, akt i cili ende nuk është përfunduar.

Në vitin 2001 u hodh në erë shtëpia e Azgan Haklajt

Shtëpia e deputetit të PD-së, Azgan Haklaj, ka qenë shënjestër e një shpërthimi eksplozivi katër vjet më parë. Ashtu si dhe në banesën e mësuesit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit, në tetor të vitit 2001, dhe si pasojë e atentatit ka mbetur e vdekur kushërira e parë e parlamentarit, Shote Haklaj. Përveç saj janë plagosur dhe gjashtë të tjerë, mes tyre edhe e ëma e deputetit. Pallati pësoi dëme të konsiderueshme, duke lënë mbi 80 banorë pa strehë për një kohë të gjatë. Haklaj dhe e shoqja, natën e ngjarjes, nuk ndodheshin në shtëpi dhe kjo mungesë u ka shpëtuar jetën. Vajtja në Tropojë e forcave speciale, FNSH dhe RENEA, nuk ka sjellë kapjen e ndonjë autori.

Vdekja e dy të rinjve më 2 janar 2005

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të ditës së dytë të këtij viti, në qendër të qytetit të Bajram Currit. Një makinë ka shpërthyer, ndërsa ishte në ecje, duke shkaktuar 2 të vdekur dhe disa të plagosur. Në momentin e shpërthimit në makinë ishin duke udhëtuar dy shtetas nga Tropoja, të cilët nuk kanë mundur të shpëtojnë të gjallë nga shpërthimi, por kanë vdekur të karbonizuar. Dy viktimat Edmond Gjyriçi dhe Arben Kuça ishin duke udhëtuar me një makinë me targa të huaja tip “Volksvagen”, e cila ka fluturuar afro 50 metra në ajër, pasi ka shpërthyer lënda plasëse, pikërisht përpara hotel “Kosova”. Të plagosur nga eksplozivi kanë qenë edhe kalimtarë të rastit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›