Mbi identitetin e unit dhe keqinterpretuesit e tij.
18/02/2005 Cum principia negante non est disputandum.*
Të meditosh mbi ekzistimin dhe kufizimin e qenies (substanciales) në kohë do të thotë t’u shkosh mbrapa ca të vërtetave që ti, megjithëse pretendon se i njeh mirë, gjithsesi të çojnë drejt e në mister. Nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë herë është thënë se Njeriu është një qenie e paplotë, si i tillë edhe i vdekshëm. Pra, koha e tij ekziston brenda ca limiteve për të cilat besoj se s’dyshon askush, që dmth., se njeriu i njeh vetë kufijtë ku jeton, por edhe hapësirën pa kufij ku ndodhen këta kufij. Rrjedhimisht, pohimi se Njeriu që në fëmijëri është koshient i përkohësisë së tij tragjike, nënkupton që kjo krijesë (vetvetja në plural) nuk është dhe aq e papërkryer nga sa mendohet, sepse vetë fakti që Njeriu, mbi të gjitha, është në gjendje të gjykojë - gjë që s’ndodh me krijesat e tjera që e bashkëshoqërojnë qëndrimin e tij në këtë botë - e bën pjesërisht të vlershëm këtë gjykim. Duke e përshkruar pak më thjeshtë e më qartë thelbin e kësaj, do konstatoja se Njeriu aq sa ç’është i “papërkryer” (nënkupto substancial), po aq është edhe i “përkryer” (nënkupto spiritual). Që këtu vetvetiu fillon të ngjizet mistikja, pra formësimi i një arsyetimi që të çon me këmbët e tua drejt e në caqet e fantastikes e të mahnitjes me vetitë e shpirtit (unit), që është i aftë për të konceptuar përmes përvojës qeniesore (substanciale) limitin dhe infinitin.
Poeti ynë i viteve ’30, emërndrituri Lasgush Poradeci, shkruante dikur në një vjershë (autograf); “… vdes për kohë dhe lind përjetë”. Me fjalë të tjera do ta thonim; vdes sepse do të rilind për të mos vdekur më. Vdes sepse kam diçka të papërkryer në vetvete, diçka që duhet të gjykohet, diçka që i përket Hadit, gjykatësit të parë që ka shpikur mendja njerëzore. Kurse akti i të (ri)lindurit për të mos vdekur vjen si pasojë e shkëputjes së spirituales nga substancialja, e të “papërkryerës” nga e “përkryera”. Është kthimi i përjetshëm te mosgjëja, prej së cilës zu fill gjithëgjëja. Në librin e Zanafillës thuhet se Zoti e krijoi Njeriun e parë nga Toka (dheu, substanca e papërkryer) dhe për t’i dhënë jetë, i fryu në fyejt e hundës (përkryerjen, shpirtin, frymën, fjalën...). Kështu Njeriu u pajis me frymën e Krijuesit, me frymën e shenjtë të ekzistencës në amshim, dhe e gjithë kjo, përbënte një ngjarje të mrekullueshme. Por e vetmja gjë që s’mund të shkonte në harmoni te kjo krijesë, do të ishte pikërisht ajo pjesa e papërkryer, ajo çka s’qe hyjnore, sepse u mor nga dheu, i cili s’qe krijues, por qe i krijuar. Ajo (dhesorja) do të ishte në luftë të pafundme me Frymën (me unin), për ta bërë pre të komoditeteve e andjeve të turlillojshme çdo tentativë të saj drejt lirisë, e cila është në natyrën e saj. Ndoshta ngaqë ndodhi sall kështu edhe Zoti më pas vendosi që ajo çka i përkiste dheut t’i kthehej përsëri dheut, duke e çliruar shpirtin (unin) nga ajo luftë e gjatë e sfilitëse që e karakterizon qenien njerëzore në të gjitha pikëpamjet.
Pretendimi për t’i shkuar deri në fund shqyrtimit të kësaj dukurie të çon pashmangshmërisht në misticizëm. Shkenca nuk hyn dot deri atje dhe as që e merr mundimin t’i qaset këtij shpjegimi, ngase ajo ka për objekt studimi vetëm materien (substancialen), kështuqë gjithçka ka të bëjë me metafiziken u lihet në dorë spekullimeve filozofike, të cilat, ndonëse mund të pretendohet dhe besohet se i afrohen sadokudo së vërtetës, prapë duhet patur parasysh se e vërteta e kulluar është e pamundur të konceptohet dhe të faktohet prej sish.
Pra, filozofia nuk mëton shkencoren, më tepër ajo është një bisedë e gjatë spirituale, një shmangie nga zhurmat që prodhojnë pafund moria e sendeve, objekteve, qenieve në raport me njëra-tjetrën, një tërheqje individuale, plotësisht individuale për të reflektuar mbi jetën, ku uni pyet unin nëse e di ai mënyrën se si ekziston, ku, sa, pse...(?). Ajo çka është substanciale në këtë botë u nënshtrohet, si një e një që bëjnë dy, ligjeve të fizikës, ngase ajo e zotëron një përmasë, e zotëron një formë, e zotëron një peshë dhe si e tillë gjendet në një kohë të caktuar, në një hapësirë të caktuar, të dukshme dhe të prekshme përmes shqisave përkatëse të këtyre formave të të konceptuarit, porse ajo çka i përket vetëm unit paraqet një realitet të tjetërfartë dhe, sidomos, tejet të komplikuar. Uni njerëzor e nis shqyrtimin e ekzistimit të tij përmes njohjes së përvojave, duke filluar që nga dija mbi fiziken, të cilën ai e ka përftuar në sajë të raporteve të mëparshme marrëdhënjesore me materien, për të shkuar pashmangshëm drejt misterit, njohja e të cilit bëhet e pjesshme dhe intuitive, pra, që s’vjen nga përvoja direkte e unit individual, por nga një përvojë njohjeje universale.
Nëse dikush pyet: Si ndodh që unë arrij, nisur nga pozicioni i së tashmes, t’i zgjerojë sinoret e të arsyetuarit edhe në të ardhmen, e cila për mua ende nuk ekziston. Më konkretisht: Si arrij unë të kuptoj se diku, në një nga ditët e së ardhmes, më pret fundi, vdekja e sigurtë? Si arrinte ta kuptonte Lasgush Poradeci se do të vinte një ditë dhe ai do të vdiste për kohë që të lindte përjetë, ndërkohë që ai, ndërsa shkruante dhe mendonte kështu, qe ende gjallë? Sigurisht, përmes njohjes së përvojës së një uni tjetër, të një uni që s’është imi, sepse, me thënë të drejtën, unë ende s’e kam provuar që të vdes dhe aq më tepër që të (ri)lind prapë për të mos vdekur më. Kjo, në radhë të parë, vjen nga dija e një Uni Universal që e ushqen me (para)njohjen dhe me (para)pranimin e kësaj përvoje çdo un’ njerëzor, sepse ndryshe si do ta kuptoja unë se përvoja “x” e një uni “x” do të përsëritet pashmangshmërisht te të gjithë të tjerët e rrjedhimisht edhe tek unë, që jam bash uni të cilin mendoj se e njoh më mirë. A mos kemi të bëjmë këtu me atë që Erih Fromi te traktati i tij; “Arratisje nga liria”, e cilësonte si humbje të unit dhe zëvendësim të tij me një pseudoun që i krijon Njeriut një gjendje të thellë pasigurie? Këtë teori, s’më bëhet ta besoj, dhe faktin që jam dyshues përballë këtij konstatimi do ta shpjegoj, duke paraqitur këtu dy arsyetime, që, sipas meje, janë bash të drejta.
E para, mendoj se këtu s’kemi të bëjmë fare me atë pseudounin fromian, por me Unin Universal (Causa sui), i cili prodhon dhe transmeton idetë dhe ngjashmëritë midis identiteteve të ndryshme krejt të pavarura prej njëri-tjetrit. Të parat (idetë) janë shqiptime madhore të ca realiteteve të përjetshme që i kanë shoqëruar fatet njerëzore përgjatë historisë, kurse të dytat (ngjashmëritë) për mua, kanë karakter aksidental, gjë që s’ka të bëjë me humbjen e identitetit, as me tjetërsimin e çoroditur të personalitetit, që, sipas Fromit, vihet në rolin e imituesit të modeleve të jashtme. E shumta, e gjithë kjo, unit njerëzor i shkakton një mahnitje poetike, sidomos ngjashmëria aksidentale e përvojave, të cilat në fund të fundit edhe ato gjejnë shpjegim përmes teorisë platonike të ideve. Pseudouni, që aludon Erih Fromi, duhet kuptuar si një un’ tjetër, i cili ndikuar nga disa rrethana gjakon të paraqitet si i imi, por fakti që unë arrij ta perceptoj ende jashtë vetes një gjë të tillë, pikërisht përmes unit tim dhe arrij t’i njoh, gjithashtu ende, reminishencat e së kaluarës sime, atëherë tregon se ai “un’” mbetet “tjetri”, veçse për një arsye ase tjetër, - i ngjashmi, - që prapë se prapë s’mund të pretendohet kurrë të merret si i njëjti. Ai mundet dhe është një alterego për aq sa është dhe për gjithsa është i ngjashëm, por konstatimi i përqasjes së ngjashmërive midis dy un’ - eve nuk duhet të na çojë kryekëput e në konkluzionin e humbjes së veçanësive specifike që e karakterizojnë secilin individ, ngase gjithësecili njeri tek e mbramja ka historinë e tij krejt personale, të cilën e njeh mirë vetëm e vetëm ai dhe askush tjetër si ai, e cila, më së fundi, është një garant i fortë i identitetit.
Së dyti, nëse duhet të bëhet fjalë doemos për “të humbur”, atëherë është sall Uni Universal ai që rezulton “i humbur”, ngase ai del se është njëherësh i gjithkujt dhe i askujt, e po ashtu, njëherësh gjithkund dhe askund. Ai është uni që nuk dyshon në asgjë, porse njeh dhe posedon çdo gjë, ai është substanca jomateriale, prej së cilës vrojtohet dhe sistemohet me një inteligjencë të përsosur në univers e gjithë substanca materiale; ai është uni që s’e njeh panikun e ekzistimit dhe pasigurinë e unit njerëzor, i cili prore hepohet midis dilemës, “të jesh a të mos jesh”, dhe së fundi, ai nuk mendon, siç konstaton Fromi se, “unë do të jem ky ai që ju dëshironi të jem”. Përkundrazi, ai kërkon prej nesh që “ne” ta përmirësojmë unin tonë, sipas përkorjes dhe modelit të tij.
E gjithë kjo, patjetër që është mistike dhe që i qaset sferës së religjionit. Vetë filozofët pohojnë se, “çdo njeri ka shpirt të pavdekshëm, të aftë për lumturi ase vuajtje të përjetshme, e kjo lumturi varet nga të besuarit dhe të bërit e gjërave që i përkasin kësaj jete” (Xhon Loku / Letër për tolerimin). Pra, edhe ky un’ njerëzor është gjithashtu i përjetshëm (në fillim përmes idesë [frymës] dhe më pas përmes ekzistimit [shpirtit] në amshim), si ai Uni Universal, ase Causa sui (sipas T.D’Akuinit), veçse përkatësia e destinacionit të tij përcaktohet kryekreje prej raporteve të tij të mëparshme me materien, ku kalitet përmes një prove të gjatë dhe të vështirë, e thënë sipas Xhon Lokut - përcaktohet nga mënyra se si i ka parë, besuar dhe bërë gjërat Uni në këtë botë.
Kurse, nëse flasim për rastet kur ne njohim, pranojmë dhe pëlqejmë përvojën dhe eksperiencat e të tjerëve, mendoj se kjo nuk do të thotë se duhet të shqiptohet fjalë për fjalë se njitash e paskemi humbur identitetin dhe paskemi rënë në rolin e imituesit, e se ata të tjerët, ase dikush tjetër që rri si qeni rojë zgjuar për të shmangur “devijacione” të kësofarta, - sipas Fromit, “pseudoidentitetesh”, - u dashka që të na e konfirmojnë se kush jemi dhe, sidomos, ta ngrenë zërin në qiell, duke na e kujtuar që të jemi. (!)
“Të qenët vetvetja”, - sllogan që një kategori njerëzore i mëshon duke e përdorur kohë e pa kohë e vend e pa vend, - për mua s’është as më pak as më shumë sesa një qëndrim fodull, që kjo kategori njerëzish e bëjnë nga mendjelehtësia e tyre dhe mania për t’u dukur persona interesantë në shoqëri. “Të qenët vetvetja”, nuk duhet ngatërruar me, “Njih vetveten”, ngase e para paraqet konotacionin e vetëvlerësimit dhe e dyta atë të vetënjohjes. Pastaj, njohja, admirimi apo pranimi i përvojave të të tjerëve, ndër të tjera dhe, që është më e rëndësishmja, jo vetëm që nuk ia rrezikon kurrkujt identitetin, përkundrazi shërben për ta pasuruar përvojën tonë në mënyrë që punët t’i bëjmë më mirë e sidomos duke ekonomizuar kohën, e cila është gjëja që na është dhënë më me kursim në këtë botë.
Së fundi, theksoj përsëri se pjesa më e madhe e pikëpamjeve që u dhanë më lart, më së pari, kanë të bëjnë bash me misticizmin, me atë tërësi perceptimesh të intuitës së unit, që më së shumti janë vetëm se koncepte, - si të tilla, - pra, që lidhen më së pari me filozofinë dhe jo me letërsinë, siç kanë besuar dhe duan të besojnë disa vetje, në kohë dhe në vende të ndryshme.
Veç kësaj kategorie vetjesh, me dashje a pa dashje të keqkuptuar, duhet t’ju kujtohet se një personalitet i lartë i kulturës botërore ua ka dhënë shkurt, qartë dhe njëherë e mirë përgjigjen, ku i sqaron se vërtet, “misticizmi nënkupton mister dhe mister ka plot, por veç këtu s’hyn paaftësia, siç nuk hyjnë as teprimet gazetareske që kërkojnë të shiten për letërsi, duke marrë një ton epik.” (Ernest Heminguej / Vdekje mbasdite). Përgjigje më lakonike se kjo dhe më me etikë akademike në shpërfaqje, keqinterpretuesve të teorisë mbi konceptimin e identitetit të unit, vështirë se mund t’u jepej as në epokën tonë, në shek. XXI – të.
*(lat.) Me atë që mohon parimet nuk duhet diskutuar.