E Shtunë, 31 Tetor 2026

Breshëri bllokon për dy orë qarkullimin

• ELBASAN - Reshjet e djeshme të shiut të shoqëruara me breshër kanë krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve në Elbasan dhe në rrethinat e tij.

 Si pasojë e sasisë së madhe të breshrit në rrugë qarkullimi për gati një orë ka qenë i bllokuar, duke detyruar ndalimin e të gjitha automjeteve, pasi terreni ka qenë i rrëshqitshëm. Pas ndërhyrjes së Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve gjendja është kthyer në normalitet. Ndërkohë që mësohet se probleme ka pasur në disa lagje, si në atë "Luigj Gurakuqi", "Kongresi i Elbasanit", si dhe në lagjen e vjetër "Kala" ku si pasojë e reshjeve, disa rrugë për më shumë se dy orë kanë qenë të bllokuara nga uji, i cili i ka bërë rrugët të pakalueshme. Burime zyrtare të policisë kanë pohuar se, pavarësisht sasisë së madhe të breshrit në rrugë, aksidente automobilistike nuk janë shënuar. Ndërsa në qytet nuk ka pasuar probleme e kundërta ka ndodhur akset rrugore që lidhin Elbasanin me zona të tjera urbane apo rurale, ku rrëshqitja e dherave ka krijuar pengesa për qarkullimin e automjeteve. Probleme të kësaj natyre ka pasur dhe në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd. Mësohet se si pasojë e rrëshqitjes së gurëve ky segment ka funksionuar vetëm në një krah derisa është ndërhyrë për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e saj në gjendjen e mëparshme. Probleme të kësaj natyre ka pasur edhe në fshatrat e rretheve Librazhd e Gramsh.               a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›