E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllezërit: Djali i Mirit të Xhikes të hiqet nga regjistri

• Endi Rama djali 8-vjeçar i Mirit të Xhikes ka përfunduar sërish i paditur në gjykatë nga dy xhaxhallarët e tij Besnik dhe Luan Rama.

Fatos Mahmutaj

Padia më e fundit ndaj tij është depozituar në Gjykatën e Tiranës vetëm pak javë më parë dhe i është dorëzuar gjyqtares Elona Gjoka për ta shqyrtuar atë. Objekti i padisë së fundit është çregjistrimi tetëvjeçarit nga regjistri i gjendjes civile të trungut të familjes Rama dhe regjistrimi i tij në trungun e familjes së Manjola Priftit, nënës së tij. Deri pak muaj më parë, dy vëllezërit e Fatmir Ramës, i cili njihet si Miri i Xhikes, i vrarë më 29 mars 2003, ndodheshin në proces me nipin e tyre pasi ky kërkonte të ishte pjesëtar i barabartë me xhaxhallarët në pasurinë e trashëguar të familjes. Mosmarrëveshja midis tyre për shkak të pronësisë ka përfunduar disa herë në gjykatë, por nuk ka pasur asnjë vendim gjyqësor që t’i jepte fund konfliktit civil të tyre që ka nisur vetëm pak kohë pas vrasjes së të atit të të miturit. Burime nga gjykata pohojnë se, më parë djalit tetëvjeçar Endi Rama i është dashur që me anë të proceseve gjyqësore të vërtetonte atësinë, ndërsa më pas të kërkonte bashkëpronësinë me vëllezërit e të atit. Pak kohë më parë procesi që ndodhej në gjykatë prej disa vitesh u pushua me kërkesë të palëve, të cilët e zgjidhën me mirëkuptim atë. Tashmë siç duket kanë nisur sërish konfliktet civile midis tyre për ndarjen e pronave, mes të cilave edhe lokalin “Kartodrom 2000”, pasi ata i janë kthyer gjykatës me padinë e re, ku palë të paditura janë djali tetëvjeçar, Endi Rama nëna e tij Manjola Prifti dhe zyra e gjendjes civile. Kjo e fundit, sipas padisë duhet të detyrohet të bëjë çregjistrimin të miturit nga faqja që i përket trungut familjar të familjes Rama dhe të regjistrohet në trungun familjar të së ëmës. Seanca e djeshme e procesit, e cila ishte përgatitorja e dytë, u shty pasi pala e paditur nuk kishte marrë njoftim dhe tashmë pritet të zhvillohet një tjetër, ku palëve do t’u ofrohet nga gjykata mundësia e zgjidhjes së çështjes me kompromis. Nëse ata nuk do gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë gjyqtarja e çështjes do detyrohet të kalojë kërkesë-padinë e tyre në proces gjyqësor, gjatë të cilit palët do detyrohen të depozitojnë prova për shqyrtim. Paraprakisht mësohet se fakti mbi të cilin mbështeten dy paditësit Besnik dhe Luan Rama është pretendimi i tyre se nëna e Endi Ramës nuk kishte lidhur martesë ligjore me vëllain e tyre Fatmir Rama. Ndërkohë gjatë procesit të mëparshëm është vërtetuar se fëmija 8 vjeçar është djali biologjik i Mirit të Xhikës, ndërkohë sipas ligjeve në fuqi ai trashëgon pasurinë e të atit. Është fakt se pasuria e familjes Rama gjatë kohës që Fatmiri ishte gjallë administrohej nga të tre vëllezërit. Ajo nuk ishte nuk ishte ndarë midis tyre, ndërsa rëndom lokali “Kartodrom 2000” njihej si kartodromi i Mirit të Xhikes.

Si u ekzekutua Miri i Xhikes në mars 2003

TIRANE - Miri i Xhikes, emri i vërtetë i të cilit është Fatmir Rama u vra gjatë një atentati të tipit mafioz në lokalin e tij “Kartodrom 2000”, teksa ndodhej në shoqërinë e disa miqve të tij duke ndjekur një ndeshje futbolli të kombëtares sonë. Persona të maskuar dhe armatosur me “Kallashnikovë” qëlluan me breshëri ndaj tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Të njëjtin fat të keq me të edhe patën edhe dy persona të tjerë, ndërsa një tjetër vdiq në spital pak ditë më vonë. I vetmi që reagoi ndaj atentatorëve ishte Ylli Kelmendi, mik i Fatmir Ramës, i cili qëlloi me pistoletë drejt atentatorëve, duke plagosur njërin prej tyre. Tetë muaj më vonë për këtë ngjarje përfundoi në qeli i riu kryeqytetas, Lavdërim Tufa, fqinj i viktimës Rama, i cili pas një procesi maratonë u dënua me burg përjetë në bazë të një prove gjenetike. Prova që e implikon atë është përputhja rreth 70% e ADN-së së tij me një fije floku që u gjet në maskën e hedhur nga njëri prej atentatorëve. Tashmë dosja e tij është nisur në Strasburg, pasi është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›