Breshri dhe shiu dëmtojnë rrjetet elektrike në disa zona, rrezikohet jeta e një bariu
Breshri dhe shiu i rënë gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa rrethe të vendit. Burimet zyrtare raportojnë për pasoja në Librazhd, Kukës, Durrës, Tiranë, etj.. Sipas informacioneve që vijnë nga Librazhdi, rreth orës 13.00 të ditës së mërkurës, si pasojë e erës së fortë, është rrëzuar një shtyllë elektrike, e cila rrezikoi edhe jetën e disa kalimtarëve. Burimet pohojnë se për pak sa nuk u godit një bari, ndërsa rënia solli edhe ngordhjen e një kopeje me dele. Ndërsa në qarkun e Kukësit breshri ka shkaktuar dëme në të mbjellat e fermerëve, sidomos në zonën e Bushtricës. "Si pasojë e shiut dhe breshrit që ra dje, shoqëruar edhe me erëra të forta, u dëmtuan rreth 100 ha të mbjella bujqësore si dhe pemëtari, në zonën e Bushtricës", tha specialisti i bujqësisë në prefekturën e Kukësit, Ilmi Lisha. Sipas tij, pushteti vendor po merr masa për evidentimin e saktë të dëmit. Rrethi i Kukësit është përfshirë nga moti i keq që nga dita e martë në mbrëmje. Era e fortë ka shkaktuar dhe bllokimin e pjesshëm të aksit rrugor Kukës - Shishtavec si dhe ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë. "Aktualisht situata është drej normalizimit, ndonëse reshjet e shiut vazhdojnë", tha Lisha.
Ndërsa në Tiranë dhe Durrës janë përmbytur përkohësisht disa rrugë në qytete. Po ashtu, raportohet edhe për dëme në sektorin e bujqësisë. Meterologët kishin parashikuar se gjatë ditës së martë dhe të mërkurë të kësaj jave do të kishte reshje në të gjithë vendin.
24 Korrik 2008