E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, institucioni me i kritikuar nga BE-ja dhe SHBA-te



Habjon Hasani
Si asnjëherë tjetër më parë, Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në institucionin më të shigjetuar nga trupi diplomatik. Kuvendi dhe sidomos kryeparlamentarja Topalli kanë qenë tre herë si shënjestra e moszbatimit ë ligjit dhe shkeljeve të principeve të demokracisë. Raporti i Bashkimit Europian, si edhe dy letra të Ambasadorit Amerikan Xhon Uidhers duket se e kanë kthyer Kuvendin në një “tabelë qitjeje” të ndërkombëtarëve. Ky është një rast i paprecedentë nëse i referohesh së kaluarës. Edhe në kohë vërtetë të vështira për Shqipërinë, Kuvendi nuk ka qenë kurrë një objektiv i kritikuar kaq hapur ndërsa për Kuvendin nuk kanë munguar edhe “ultimatumet” për sjelljen e normalitetit. Këtë gjë ka theksuar dhe raporti i fundit i Bashkimit Europian për Shqipërinë në të cilin ndërsa theksohej “steriliteti” i komisioneve hetimore apo i konsulencës juridike, vihej theksi edhe në lidhje me kalimin e shpejtë të disa ligjeve ku Kryeparlamentarja Topalli ka patur sensin e saj të lartë të protagonizmit. Por në raportin e BE-së, Topalli u klasifikua edhe si personi që ka penguar shpesh herë nisma legjitime të opozitës apo duke shkaktuar shtyrje të këtyre nismave.
Uidhers 1
Pak javë më parë ambasadori amerikan Xhon Uidhers gati sa nuk akuzoi publikisht Kuvendin për pengimin e hetimeve të Gërdecit. Ishte koha kur në zyrën e kryetares Topalli kishte shkuar kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu. Pas takimit me kryeprokuroren Ina Rama asokohe, ambasadori Uidhers ka shprehur zhgënjimin e tij dhe të qeverisë amerikane për përpjekjet që janë bërë për të bllokuar hetimet për çështjen e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme, dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - deklaroi ambasadori Uidhers. Ai theksoi se asnjë parti apo udhëheqës politik nuk duhet të ndikojë në hetimet për tragjedinë e Gërdecit. “Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit.”, - thuhej në deklaratën për shtyp të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Uidhers 2
Dy ditë më parë u publikua lajmi se edhe një herë tjetër Ambasadori i Shteteve të Bashkuara i ka shkruar Kryeparlamentares Topalli ndërsa edhe kësaj here në “lojë” është sërish shefja e Prokurorisë së Përgjithshme. Bëhet fjalë për seancën parlamentare ku raportoi Ina Rama ndërsa sikurse u mësua diplomatët e huaj ishin zhvendosur nga lozhat e tyre, teksa dhe deputett e Grupit Parlamentar të PD-së po largoheshin me dëshirë duke injoruar Kryeprokuroren. Uidhers ka dënuar largimin nga llozha të diplomatëve. “E nderuara kryeparlamentare Topalli, Unë u trondita dhe u zhgënjeva kur mësova se përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomatë të tjerë të akredituar u dëbuan nga zona e vendeve diplomatike në parlament para se Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të paraqiste në parlament raportin vjetor lidhur me aktivitetet e zyrës së saj”, -shkruan Uidhers në letrën e tij. Por ambasadori Uidhers shkon edhe më tej kur nuk stepet të ngrejë publikisht dyshimet e tij mbi këtë veprim. “. Dëbimi i stafit tim nga zona e posteve diplomatike ngre dyshime serioze lidhur me angazhimin e Parlamentit jo vetëm për të qenë i hapur dhe transparent por edhe për bashkëpunimin tonë në këtë përpjekje të rëndësishme. Mbetem thellësisht i shqetësuar nga ky veprim dhe nga vështirësitë në rritje në të cilat po has stafi im dhe ai i misioneve të tjera diplomatike në gjetjen e mundësisë për të ndjekur seancat parlamentare. Unë kërkoj që ju të garantoni se ky incident nuk do të përsëritet më dhe se Parlamenti do të bashkëpunojë në të ardhmen për të lehtësuar mundësinë e pjesëmarrjes së misioneve të huaj në seancat e tij”, - përfundon letrën Uidhers.

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›