E Shtunë, 31 Tetor 2026

Byroja shkel Rregulloren e Kuvendit për përjashtimin e Ballës



Eljona Ballhysa

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe deputetwt e mazhorancws anëtarë të Byrosë Parlamentare kanë shkelur Rregulloren e Kuvendit për përjashtimin pwr 15 ditw tw deputetit tw PS-sw Taulant Balla nga punimet e Kuvendit. Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur se vendimi është marrë pa pjesëmarrjen e opozitës. Madje kjo e fundit nuk është njoftuar as për zhvillimin e mbledhjes. Të pranishëm në mbledhje kanë qenë vetëm anëtarë të maxhorancës, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, deputetët Beja, Çobaj, Madhi, Gjoni dhe Peçi. Ky i fundit ka votuar kundër përjashtimit të Ballës. Deputeti Peçi, madje, ka kërkuar zbardhjen e procesverbalit të seancës në mënyrë që vendimarrja të ishte korrekte dhe kjo, sipas tij, arrihej, vetëm, pasi anëtarët e Byrosë të njiheshin në mënyrë të saktë me shkëmbimin e fyerjeve. Po kështu, burimet bënë të ditur se në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit nuk është thirrur as deputeti Taulant Balla që të japë shpjegime në mbledhjen e Byrosë për përplasjen e tij me kryeministrin Berisha gjatë seancës së të hënës.
Mbledhja
Burimet nga mbledhja e Byrosë së Kuvendit kanë zbardhur detaje të mëtejshme rreth zhvillimit të saj në kundërshtim me rregullat parlamentare. Sipas deputetëve, mbledhja është zhvilluar pa procesverbalin e seancës parlamentare ku të ishte e zbardhur i gjithë debati. Kështu, deputetët anëtarë të Byrosë në vend që të bazoheshin në një dokument zyrtar të shkruar, janë bazuar vetëm në fjalitë që u ka zënë veshi atyre. Madje në mbledhje ka patur dhe kakofoni, për shkak se njëri anëtar deklaronte se nuk e kishte dëgjuar, një fjalë, që një anëtar tjetër shprehej se e kishte dëgjuar. E gjithë kjo mungesë informacioni tregon qartë për zhvillimin e një mbledhje me synimin e qartë për të përjashtuar deputetin socialist Taulant Balla.
Rregullorja
Në rregulloren e Kuvendit në nenin 65 të saj tregohen hapat që ndiqen për përjashtimin e një deputeti. Sipas dokumentit, “kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave, ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore, ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione nga 2 deri në 15 ditë”. Duke u bazuar në debatin midis kryeministrit Berisha dhe deputetit Balla është vënë re se ky i fundit nuk ka bërë thirrje për përdorim dhune, madje nuk ka provokuar rrëmujë në sallë. Balla duket se ka ruajtur qetësinë edhe në momentin kur Kryeministri i ka kujtuar nënën, motrën dhe bashkëshorten. Megjithatë Byroja parlamentare vendosi të hënën që të përjashtojë deputetin Balla nga pjesëmarrja në punimet e komisioneve të Kuvendit dhe seancave plenare për një periudhë 15 ditore me motivacionin se është sjellë “në mënyrë të padenjë dhe të përsëritur, duke përdorur gjuhë ofenduese e provokacione të ulëta duke shkaktuar rrëmujë në sallën e Seancës Plenare e, për rrjedhojë, duke krijuar probleme serioze në mbarëvajtjen e punës së Parlamentit”.

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›