E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma politike në administratë, 407 padi depozitohen në gjykatë



Reforma politike në administratë mbart me vete një kosto financiare që e paguajmë padrejtësisht secili prej nesh. Heqjet me pa të drejtë nga puna kanë detyruar dhjetëra ish-zyrtarë t’i drejtohen drejtësisë për të rifituar të drejtën që iu jep statusi i nënpunësit civil. Gjyqe këto në të shumtën e rasteve që janë fituar prej tyre. Madje edhe duke u dëmshpërblyer. Kështu veprimet politike e kthejnë shtetin menjëherë në debitor dhe ai që i paguan është sërish qytetari. Sipas Statistikave të Gjykatës së Tiranës, vetëm për gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë depozituar 407 padi me objekt rikthimin në detyrë. Të gjendur përballë vendimeve politike që marrin zakonisht drejtuesit e ministrive sapo marrin pushtetin, ish-nëpunësit i drejtohen gjykatës duke e provuar heqjen e padrejtë nga puna. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë emrat e 407 paditësve që e kanë ndërmarrë një sime të tillë ligjore. Pjesa më e madhe prej tyre e ka përfunduar procesin civil në shkallën e parë dhe kanë nisur me tej kaluarin me gjyqësorin derisa vendimi të marrë formën e prerë. Kryesisht duke u bazuar dhe në vendimet që kanë dhënë deri më tani gjyqtarët, pjesa më e madhe e padive janë pranuar duke iu dhënë kështu të drejtë ankuesve.
Paditë
Dhjetëra padi civile me objekt marrëdhëniet në punë depozitohen çdo ditë në Gjykatën e Tiranës. Fenomeni që ka vite që ndodh, pëson ulje-ngritjet e veta. Gjatë ndërrimit të pushteteve kurba e padive pëson rekordin e saj duke kapur pikat më të larta. Reforma në administratë për arsye politike deri më tani ka gjetur si zgjidhje vetëm hapjen e një procesi civil duke kërkuar ligjërisht të drejtën që iu takon. Shpesh herë këto procese zgjasin disa seanca, pasi juristët e ministrive nuk janë dhe aq korrekt në gjyqe. Megjithatë gjyqtarët përballë fakteve që sjellin të dyja palët, kanë gjykuar se ankuesit kanë pasur të drejtë dhe se largimet e tyre nga detyra kanë qenë në kundërshtim me statusin e nëpunësit civil.
Proceset
Përfundimi i procesit në shkallën e parë, sërish nuk iu jep të drejtë palës fituese. Juristët e institucioneve shtetërore të gjendur përballë procesit të humbur në fazën e parë vendosin të apelojnë duke e shtyrë sa më shumë ditën kur vendimi merr formën e prerë dhe shteti kthehet menjëherë debitor ndaj qytetarit. Në të shumtën e rasteve procese të tilla civile në të tria shkallët i kanë kaluar edhe tre vite derisa kanë marrë formën e prerë. Vetëm atëherë ish-nëpunësi ka kërkuar institucioneve përkatëse që ta dëmshpërblejë atë financiarisht dhe me rikthim në detyrë.

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›