E Diel, 1 Nëntor 2026

Posti i nënkryetarit të Kuvendit, Gurakuqi propozon Lesin



Emri i Nikollë Lesit është propozuar së fundmi për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Ka qenë kryetari i Partisë Demokristiane, kundërshtari i Nard Ndokës, Anton Gurakuqi, që ka propozuar emrin e Lesit për këtë post. Dy zëvendës ministrat Gurakuqi dhe Bushati njihen si “miq” të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Madje, kryetari i PDK-së Nard Ndoka prej kohësh hedh akuza direkte kundrejt kryetares së Kuvendit për sherrin brenda partisë së tij. Propozimi i Gurakuqit për emrin e Nikollë Lesit në postin e nënkryetarit duket se nuk është aspak i rastësishëm, por i menduar mirë nga palët. Burimet bënë të ditur dhe gjatë ditës së djeshme që posti i nënkryetarit është menduar prej kohësh që t’i jepej aleatëve. Nëse Partia Demokratike do të miratonjë emrin e Lesit për postin e nënkryetarit të Kuvendit, një veprim i tillë tregon qartë për nënshkrimin e një aleance të re të kryeministrit Berisha me demokristianët anti-Ndoka. Nga ana tjetër, Nikollë Lesi gjithmonë ka shfaqur se ka patur marrdhënie të mira me kryetaren e Kuvendit Topalli, e cila duket qartë se ka “gatuar” afrimin e Lesit me Berishën. Është rasti të kujtojmë buqetën me lule që Lesi i dhuroi Topallit pas rrëzimit të mocionit të mosbesimit të kërkuar nga opozita kohë më parë.

Ilir Rusmali, favorit për postin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve

Ish-ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali duket se është më i favorizuari për postin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Burime nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë bërë të ditur se brenda radhëve të deputetëve është piketuar pikërisht deputeti Rusmali për të kryesuar komisionin më të rëndësishëm të Kuvendit. Kjo, për faktin se Rusmali është i profesionit jurist dhe ka eksperiencë të gjatë në fushën e ligjeve, veçanërisht të reformës në drejtësi dhe në atë zgjedhore. Ilir Rusmali aktualisht është bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Me emërimin e Fatos Bejës në krye të ministrisë së Arsimit pritet që ish-ministri i Drejtësisë të marrë postin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Megjithatë, pritet që vendimi të bëhet zyrtar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ditën e hënë.

Biberaj merr letër falenderimi nga Presidenti i Asamblesë së KE-së

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luis Maria de Puig, i ka dërguar një letër falenderimi deputetit të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht edhe zëvendës President i Asamblesë Parlamentare të KE-së. Në letrën e tij, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së shpreh falenderimin ndaj zotit Biberaj për bashkëpunimin në drejtimin e Asamblesë. “Pas zhvillimit me sukses të sesionit të qershorit 2008 të Asamblesë Parlamentare të KE-së, por duke pasur parasysh edhe sesionet e janarit dhe të prillit të këtij viti, dëshiroj t’ju falenderoj për bashkëpunimin tuaj si zëvendës President i Asamblesë. Veçanërisht, dëshira dhe gadishmëria juaj për bashkëpunim, gjatë sesioneve të këtij viti, më ka lejuar mua që të përballoj dhe të kryej me sukses detyrimet dhe përgjegjësitë e mia si President i Asamblesë. E vlerësoj shumë mënyrën sesi keni drejtuar debatet dhe seancat parlamentare të KE-së dhe shpresoj që të kem bashkëpunimin tuaj edhe në sesionet e ardhëshme të Asamblesë Parlamentare të KE-së”, ka shkruar De Puig në letrën e tij

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›