Bufi: Largimi i diplomatëve, akt i paprecedent
Menjëherë pas publikimit të lajmit për ankesën e ambasadorit Uidhers tek Kryeparlamentarja Topalli, ka reaguar para Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Ylli Bufi. “Jam tepër i zhgënjyer përsa mësova nga letra e ambasadorit të SHBA të botuar sot në median e shkruar. Veprimi i largimit të përfaqësuesve të ambasadës amerikane nga llozha e caktuar për këtë qëllim në sallën e seancave plenare është tërësisht në kundërshtim me praktikat parlamentare që garantojnë transparencën e nevojshme të procesit legjislativ dhe një incident i pakuptimtë në marrëdhëniet e bashkëpunimit të mirë që Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e shtetit shqiptar kanë vendosur me përfaqësuesit e SHBA dhe të BE në procesin e konsolidimit demokratik dhe të integrimit euroatllantik të vendit. Kam mësuar gjithashtu që një veprim i tillë ka ndodhur edhe me përfaqësuesit e OSBE, të akredituar në Kuvend për ndjekjen e procedurave parlamentare”, është deklaruar Bufi. Më tej ai ka qaruar se do të dëshironte që që këto të ishin gabime rastësore të shërbimit administrativ të Kuvendit, por sipas tij “ Opozita edhe në mjaft raste të tjera ka kritikuar veprimet e njëanshme të kryetares së Kuvendit, veprime që nuk përfaqësojnë institucionin e Kryetarit të Kuvendit si garant i kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, por që duket se lidhen me funksionin e saj partiak të nënkryetares së partisë demokratike”. Sakaq edhe kreu i LSI-së Ilir Meta ka dënuar urdhërin e Topallit. “Mendoj se nxjerrja nga Parlamenti i përfaqësueseve të SHBA-së është në vazhdën e një drejtimi krejtësisht jodemokratik të Kuvendit të Shqipërisë dhe ne do ta mbështesim riaktivizimin e kërkesës për mocion ndaj znj. Topalli nga ana e PS-së, sikurse ajo e ka bërë të ditur javë më parë. Nuk ka ndonjë rast më flagrant, sesa kjo ngjarje që ka ndodhur në Kuvend, ku Kryetarja e Kuvendit në vend që t’i qetësonte gjakrat, përkundrazi i fryu edhe më tej zjarrit, dhe njëkohësisht kur Kryetarja e Kuvendit mban qëndrim ndaj një deputeti, dhe nuk mban asnjë lloj qëndrimi ndaj Kryeministrit, por përkundrazi bëhet ortake në atë dhunim verbal dhe politik që ndodhi në Kuvend, i cili mund të degradonte edhe në dhunime fizike”, -ka deklaruar Meta.
24 Korrik 2008