E Diel, 1 Nëntor 2026

Brezhnjevi në Beograd, “Zëri i popullit” rinis sulmet

Autori i Lajmit: Androkli DraloTiranë, 28 shtator 1962 – Sulmi më i gjatë dhe gjithëpërfshirës deri më tani kundër Nikita Hrushovit dhe Titos në veçanti, tregon haptazi se polemikat mes Tiranës dhe Moskës kanë rinisur edhe një herë me vrullin e periudhës pas Revolucionit të Tetorit. Sulmi, i cili botohet në dy numra të veçantë të gazetës së PPSH-së, “Zëri i popullit” më 19 dhe 20 shtator, titullohej: “Revizionizmi modern ndihmon strategjinë themelore të imperializmit amerikan”. Sulmi kundër udhëheqësit sovjetik dhe kundër “ndërmjetësit”, presidentit Tito, koincidoi me vizitën e presidentit sovjetik, Leonid Brezhnjev, në Jugosllavi dhe kishte për qëllim dënimin e drejtpërdrejtë të afrimit sovjeto-jugosllav. Editoriali flet për një sërë dallimesh mes teorive dhe politikave komuniste. Rideklarimi i pozicionit shqiptar dhe kinez përballë “revizionizmit modern” të drejtuar nga Hrushovi dhe Tito është i pari që prej 25 marsit. Në thelb, artikulli i fundit është i ngjashëm me artikujt e mëparshëm, “Thellë e më thellë në batakun e marksizëm-leninizmit” (9 janar 1962), “Në interesin e kujt janë idetë dhe veprimet e Hrushovit?” (2 mars) dhe “Përpjekjet e Nikita Hrushovit nuk kanë qenë për të zgjidhur, por për të përkeqësuar mosmarrëveshjet mes partisë dhe shtetit tonë, (25 mars). Përmbajtja e artikullit më të fundit përbëhet nga akuza të ngjashme me ato të shkrimeve të mëparshme kundër pikëpamjeve revizioniste dhe oportuniste për çështjet ideologjike dhe politike.

Mbështetja për Kinën e Kuqe

Elementi i ri i prezantuar në këtë sulm të fundit të Shqipërisë janë dhe ankesat e drejtpërdrejta kineze ndaj udhëheqjes sovjetike. Kjo shprehet në paragrafin e mëposhtëm: “Grupi i Nikita Hrushovit, ndërsa përpiqej të dobësonte forcën mbrojtëse të vendeve socialiste, si për shembull atë të Republikës Popullore të Shqipërisë, ka arritur deri atje sa tu shesë qarqeve reaksionare indiane armë dhe avionë, të cilët në fakt përdoren për të shtypur komunistët dhe progresistët dhe për të provokuar vendet socialiste”. “Zëri i popullit” i referohet Kinës së Kuqe kur përmend se provokimet e armatosura kundër vendeve socialiste dhe paralajmëron se Kina mund të ketë të njëjtin fat si Shqipëria. Sulmet antikineze për të cilat flet “ZP”, lidhen kryesisht me Hrushovin dhe kundër shokëve të tij. “ZP” i vazhdoi sulmet me akuzat kundër armikut kryesor të udhëheqjes aktuale shqiptare, “klikës titiste”. Akuzat kundër Titos kishin për shënjestër dhe Hrushovin, duke qenë se Titoja konsiderohet një vegël e Hrushovit dhe anasjellas. Organi i PPSH-së iu referua fjalimit të Titos në Pula (nëntor 1956) si një sinjal për revizionizmin modern “për të dalë nga guaska e tyre”. Thirrja e Titos për të çuar deri në fund luftën kundër “stalinizmit” dhe “dogmtatizmit” dhe për të eliminuar me guxim pasojat e kultit të personit, sipas fjalëve të “ZP”-së, është ndjekur me besnikëri nga Nikita Hrushovi dhe grupi i tij i servilëve...” Titoja ka luajtur kështu një pjesë të suksesshme të Kalit të Trojës, duke konsideruar faktin se Nikita ka ndjekur rrugën e tij... Ai, (Titoja) po përpiqet të përçajë unitetin e kampit socialist, në veçanti në miqësinë që bashkon popullin sovjetik dhe kinez”. Organi i Partisë së Punës kritikoi ashpër intervistën e Titos me korrespondentin e “Uashington Post”-it në Beograd, Dru Pirson, ku thuhej se Titoja shpifi ndaj RPK-së dhe politikës së saj të jashtme, dhe e akuzoi ata në mënyrë indirekte se “ishte kundër çarmatimit, kundër paqes dhe kundërshtonte çdo marrëveshje”, etj. Më tej gazeta shkruante: “Ai, Titoja shkon deri atje se u thotë haptazi imperialistëve amerikanë se Kina do luftë dhe jo paqe dhe se kërcënimi vjen nga Kina, kështu që drejtojini atij vendi jo vetëm vëmendjen, por edhe veprimet dhe provokimet tuaja, drejtojini atij vendi armët, grykët e pushkëve dhe raketat tuaja”.

Hrushovi dhe imperializmi

Goditjen kryesore “ZP”-ja e bëri mbi revizionizmin modern. Duke ndjekur logjikën e gazetës komuniste shqiptare, Hrushovi, i cili tashmë e kishte pranuar fjalimin e Pulas së Titos (1956), do të ndjektë shembullin e Titos në rolin e afrimit të tij me imperialistët. Editoriali i “ZP”-së e mbështeti kritikën e Hrushovit në lidhje me intervistën e Titos me Dru Pirsonin, në të cilën Titoja theksoi se udhëheqësi sovjetik ishte i vendosur në mbështetje të afrimit me imperialistët amerikanë.

Pikëpamjet oportuniste ekonomike të Hrushovit

“ZP”-ja i sulmoi pikëpamjet paqësore të Hrushovit në lidhje me bashkekzistencën, e cila bëhet dhe më e rëndësishme kur merret në kontekst me problemet e marrëdhënie ekonomike me vendet kapitaliste (tregu i përbashkët). Editoriali solli edhe një herë konkluzionet e takimit të fundit ndërkombëtar të mësuesve të marksizmit në Moskë. Ai akuzoi edhe një herë tjetër idetë e shprehura në takim se nuk ishin shumë të ndryshme nga ato të programit ekonomik të Ligës Jugosllave të revizionistëve. Pasi la të kuptohej se teoricienët e grupit të Hrushovit ishin gënjeshtarë oportunistë, “ZP”-ja tentoi të provonte pretendimet e saj duke nxjerrë në pah natyrën kontradiktore të teorive të disa ekspertëve sovjetikë revizionistë. Duhet thënë se sulmi i fundit ndaj Hrushovit ndryshon nga sulmet e mëparshme në aspektin e përgjithshëm. Deri tani, grupi i Hrushovit është sulmuar nga shtypi shqiptar kryesisht për politikat e tij armiqësore ndaj Shqipërisë dhe tendencave revizioniste të zakonshme. Por në këtë artikull, “Zëri i popullit” bëri një hap më shumë në denoncimin e udhëheqësit sovjetik. Në sytë e stalinistëve shqiptarë, por dhe të kinezëve gjithashtu, Sekretari i Parë i PKBS-së u është bashkuar Titos dhe udhëheqësve të tjerë revizionistë në botën komuniste. Nuk ka dyshim se udhëheqësit shqiptarë e konsiderojnë vizitën e Brezhnjevit në Jugosllavi dhe vizitën e mundshme të Titos në Bashkimin Sovjetik, si një ftesë të Hrushovit, si pjesë e një përpjekjeje për të “koordinuar më mirë punën dhe veprimtarinë e tyre”. Nga pikëpamja e udhëheqësve të Tiranës, sulmi ndaj Hrushovit është në linjë me detyrat e theksuara nga Deklaratat e Moskës (1957) (1960), të cilat bëjnë thirrje për një luftë të vendosur kundër revizionizmit modern. Me rastin e përvjetorit të 20-të të themelimit të gazetës, anëtari i Byrosë Politike, Ramiz Alia tha: “Gazeta ka arritur të demaskojë aktivitetin e imperialistëve dhe revizionistëve dhe do të vazhdojë ta bëjë dhe në të ardhmen. Për sa i përket grupit të Hrushovit, ai shtoi: “Lexuesit tanë do të jenë shumë të kënaqur që në të ardhmen do të gjejnë artikuj më të shpeshtë të këtij lloji në faqet e shtypit tonë”. Me sa duket, artikulli tjetër i “ZP”-së do të lidhet me rezultatet e vizitës së Brezhnjevit në Beograd.

Ky lajm është publikuar: 07/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›