E Diel, 1 Nëntor 2026

Ukraina zgjedh sot presidentin, Timoshenko i frikësohet manipulimit

Autori i Lajmit: RedaksiaKiev - Ukraina voton ditën e sotme në një luftë të ashpër mes rivalëve Julia Timoshenko dhe Viktor Janukoviç për të cilin disa analistë thonë se do të destabilizojë procesin demokratik. Tashmë sfida e presidentit të ri është rikthimi i shpresës tek një vend i shkatërruar ekonomikisht dhe i zhgënjyer politikisht. Por sfidë gjithashtu është dhe qeverisja e një vendi të ndarë mes popullsisë që flet rusisht, pra provincave promoskovite dhe Perëndimit, i cili është më nacionalist dhe shikon më tepër drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kandidatura e ish-presidenti Viktor Jushçenko, që erdhi në krye të vendit me “revolucionin e portokalltë” pro demokratik, pesë vjet më parë, nuk mundi të merrte përqindjen që do ta fuste në garën e sotme, pasi në raundin e parë të zgjedhjeve më 17 janar, mori një përqindje poshtëruese, (5.5 për qind të votave). Për Julia Timoshenkon analistët besojnë se kishte kohë që të zvogëlonte epërsinë e Janukoviçit, në tri javët e mbetura deri në raundin e dytë zgjedhor. “Mendoj se intriga nuk ka përfunduar ende. Natyrisht, Timoshenko do ta ketë vështirë të fitojë në raundin e dytë. Por mendoj se ajo ka gjasa për të fituar, nëse arrin të joshë votuesit, të cilët dëshirojnë integrimin evropian dhe nëse josh votuesit e kandidatëve të mundur”, - deklaroi drejtori i qendrës për studime politike “Penta”, Volodimir Fesenko. Kryeministrja e Ukrainës paralajmëroi se do të ketë protesta masive në se rezultati i zgjedhjeve do të manipulohet. Ajo po e akuzon rivalin e saj, Viktor Janukoviç, se po përpiqet të vjedhë rezultatin e balotazhi që zhvillohen sot, përmes ndryshimeve të minutës së fundit në ligjin elektoral. Këto ndryshime eliminojnë kërkesën për praninë e një numri të barabartë përfaqësuesish nga të dy kandidatët kur të numërohen votat. Partia e Rajoneve e zotit Janukoviç thotë se ndryshimet do të parandalojnë rivalen e tij të pengojë numërimin e votave duke u thënë përfaqësuesve të saj të qëndrojnë larg. Zonja Timoshenko tha se, në se presidenti Viktor Jushçenko i firmos ndryshimet në ligj, ky do të ishte fundi i zgjedhjeve të drejta në Ukrainë. Zonja Timoshenko udhëhoqi protestat masive në vitin 2004 kundër zgjedhjes së zotit Janukoviç, në ato që u cilësuan si zgjedhje presidenciale me mashtrime. Analistët mendojnë se situata është shumë larg nga ajo e “Revolucionit Portokalli” në vitin 2004, kur mbështetësit e zotit Jushçenko dolën në protestë kundër rezultateve të zgjedhjeve që u shpallën të pavlefshme nga Gjykata e Lartë e Ukrainës. Presidenti Jushçenko dhe ish-aleatja e tij, zonja Timoshenko, filluan një luftë politike që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Analistët mendojnë se popullariteti kaq i ulët i Presidentit shpjegohet edhe me paaftësinë e tij për të zgjidhur problemet ekonomike të vendit, ku ekonomia është tkurrur me 15 % vetëm vitin e fundit. Me zotin Jushçenko që tashmë ka dalë nga gara, shumë nga tensioni gjeopolitik Lindje-Perëndim ka ndikuar direkt në tensionet e politikës së brendshme. Por përveç problemeve ekonomike dhe korrupsionit të pafund, Ukraina kërkon të zgjidhë një herë e mirë statusin e gjuhës ruse, e cila flitet nga një e treta e ukrainasve. Janukoviç dhe Timoshenko kanë sinjalizuar se ata do të jenë të kujdesshëm me politikat antimoskë, të cilat Janukoviç nuk i mbështet (integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe planet për të zhvendosur Flotën Ruse nga Deti i Zi në Krime.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›