E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i emigracionit, “hap luftë” në Parlamentin grek

 Parlamenti grek ka debatuar fort për më shumë se katër orë për ligjin e nënshtetësisë së emigrantëve, miratuar nga qeveria socialiste e Jorgo Papandreut, ku pika më e nxehtë e debatit të kundërshtarëve të tij ishin shqiptarët. Ligji i propozuar do të prekë rrënjësisht jetën e emigrantëve dhe refugjatëve, dhe është mirëpritur dhe kritikuar nga organizatat dhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Ministria e Brendshme greke paraqiti legjislacionin që i lejon emigrantët të cilët kanë më shumë se pesë vjet në Greqi, të aplikojnë për nënshtetësi. Lideri i “Demokracisë së Re” në opozitë, Antonis Samaras tha se partia e tij do ta përmbysë këtë ligj kur të vijë në pushtet, sepse ligji do të jetë nxitje për më shumë fluks emigrantësh. “Kur ne jemi në mes të krizës më të madhe ekonomike në dekada, dhënia e nënshtetësisë rreth gjysmë milion imigrantëve dhe fëmijëve të tyre krijon rrezik për trazira sociale”, tha ai. Papandreu këmbënguli se dhënia e nënshtetësisë nuk do të prekë imigracionin. “Nuk ka zgjidhje perfekte, por zgjidhje afatgjata dhe më të mira”, tha ai. “Ky ligj na jep një mundësi të re: të shohim grekë me prejardhje nga India apo Shqipëria të cilët janë krenarë për nënshtetësinë e tyre greke”, theksoi ai. Por  lëvizjet e krahut të djathtë ekstrem, përfshirë edhe partinë parlamentare popullore “Popular Orthodox Alarm” kanë kërkuar referendum për këtë ligj, i cili është komentuar prej tyre si një gabim që do të dëmtojë karakterin kombëtar dhe zgjedhjet. Lideri i saj, Jorgos Karazaferis është shprehur veçanërisht kundër përfshirjes së shqiptarëve në këtë ligj. “Ju po thoni që t’i bëjmë shtetas greke. Jo z. Kryeministër. Më mirë jepuni nënshtetësinë pakistanezëve dhe afganëve. Pse doni t’ua jepni edhe shqiptarëve dhe ballkanasve të tjerë? Brenda 4-5 viteve ata do të jenë në Evropë, do të kenë pasaportë evropiane, pse duhet t’i bëjmë grekë?”, tha Karazaferis në Parlament. “Për ne përgjigjja është e qartë, se grek edhe lind edhe bëhesh, ashtu siç ka ndodhur vazhdimisht në historinë e helenizmit. Edhe unë kam qenë emigrant, megjithëse nuk përjetova këto gjendje turpi dhe trafikimi të njerëzve, ashtu siç ndodh në kufijtë tanë”, tha Papandreu duke shtuar, “çfarë janë këto frika false se kombi ynë do të tjetërsohet? çfarë do të thotë të jesh grek? Demokraci, barazi dhe humanizëm. Kaq pak besojmë ne në fuqinë e Greqisë? Kultura jonë dëmtohet më shumë nga qëndrimi ynë dhe i fëmijëve tanë 4-5 orë në ditë para televizorit”. Kërkesat për nënshtetësi përfshijnë dëshmi të pastër penale, letra reference nga qytetarët grekë dhe njohje të pastër të gjuhës, historisë dhe teksteve politike greke. Do të përfshihet gjithashtu dhe gjenerata e dytë e emigrantëve dhe të miturit që kanë ndjekur shkollën prej gjashtë vitesh në Greqi. Ndërsa të huajt që mbërrijnë në këtë vend pasi ligji të hyjë në fuqi duhet të kenë shtatë vite qëndrim të ligjshëm në këtë vend përpara se të aplikojnë për nënshtetësi, dhe bashkë me përfundimin e procedurave mund t’iu duhet një dekadë. Për herë të parë në historinë greke të huajve që aplikojnë për nënshtetësi do t’u jepet e drejta të marrin pjesë në zgjedhjet vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›