Obama, Kohler të parët që uruan Sejdiun për festën e Pavarësisë
Presidenti i SHBA-së, Barak Obama ka uruar Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu për dy-vjetorin e Pavarësisë. Mesazhe urimi ka mbërritur për të edhe nga presidenti i Gjermanisë, Horst Kohler. “Në emër të popullit amerikan, unë ju përgëzoj Ju dhe qytetarët e Kosovës në përvjetorin e dytë të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. Unë gjithashtu dëshiroj të përgëzoj popullin e Kosovës për përparimin që keni bërë në ndërtimin e një shteti demokratik, paqësor dhe multietnik”, thuhet në telegramin e Obamës. “Ne e vlerësojmë partneritetin tonë dhe mbetemi të përkushtuar për t’ju mbështetur në hapat e nevojshëm për të arritur aspiratat tuaja euroatlantike. Në këtë 17 shkurt, u përcjell urimet e mia dhe besimin më të madh për vazhdimin e miqësisë dhe forcimin e partneritet në mes të dy vendeve tona”, përfundon telegrami i Presidentit amerikan. Ndërsa në mesazhin e urimit të Presidentit të Gjermanisë, Horst Kohler, thuhej: “Vitin e shkuar Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt stabilitetit ekonomik dhe konsolidimit të politikave të brendshme e atyre të jashtme. Pranimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, sikurse edhe zhvillimi paqësor i zgjedhjeve lokale janë suksese të cilat, shpresoj, do të ndiqen nga të tjera”. Ai ka premtuar se Gjermania do të mbështesë me të gjitha mundësitë Kosovën në vazhdimin e proceseve të reformave dhe përafrimit të mëtejshëm të Kosovës me strukturat euroatlantike.