Dashuria tragjike çel sezonin artistik të operës
Autori i Lajmit: Redaksia
Regjisori Nikolin Gurakuqi do të ngjisë në skenën e TKOB një tjetër kryevepër. Opera “Manon Lescaut” me muzikë të Xhakomo Puçinit vjen si premierë në skenën operistike. Vepra është vënë për herë të parë në skenë në vitin 1893. Irini Nikolla, Shpresa Beka, Eva Golemi, Erlin Zeraliu etj, do të interpretojnë në këtë shfaqje me katër akte. Një histori interesante, një dashuri, e cila do të kthehet në tragjedi, një vepër, që është cilësuar si triumf i kompozitorit të njohur Italian Puçini. Dirigjenti i orkestrës do të jetë italiani Gianluca Martinenghi, ndërsa skenografia i është besuar Genc Shkodranit. Kjo opera është vënë me sukses në shumë vende të tjera të botës, ndërsa do të vijë në skenën e TKOB premierë për spektatorin shqiptar në 14 shkurt.
Provat
Sopranoja Shpresa Beka tregon se kryevepra e Puçinit ishte pjesë e sezonit artistik të teatrit për vitin 2010, një vepër e cila sipas saj të ngjall emocione. “Si vepër e repertorit u servir në kalendarin e teatrit dhe ashtu siç është rregulli për ti parë dhe për tia shfaqur publikut këto vepra më lindi guximi që ta marr përsipër këtë rol dhe audicionohem dha ta mësoj këtë rol. Mezi po pres që ta shoh të realizuar deri në fund këtë rol, ashtu siç pretendoj, pasi kam punuar shumë për të arritur vokalisht. Po përgatitemi për të vënë në skenë edhe nga ana skenike dhe regjisoriale sëbashku me regjisorin Nikolin Gurakuqin, në mënyrë që të kompletohet personazhi i Mannonit”, pohon sopranoja Beka. Regjisori Nikolin Gurakuqi i ka filluar përgatitjet qysh sezonin ne kaluar për t`i vijuar ato në datën 7 janar e në vijim. Është një opera me katër akte, e cila sjell një histori interesante në fillim të sezonit të ri të vitit 2010. Por sigurisht që kjo nuk është e vetmja vepër e Puçinit që është ngjitur në skenën e TKOB. Kështu, një tjetër pjesë po kaq e rëndësishme është edhe ajo e titulluar “Triptiku”, (“Il Trittico”), që ka ardhur për publikun shqiptar në vitin 2008, në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së Puçinit, i konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë e fundit të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të. Ishte një pjesë e Puçinit, e cila erdhi me tre vepra operistike brenda një nate, konkretisht “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schiçhi”, të cilat ishin pjesët që u ngjiten në skenën shqiptare me rastin e 150- vjetorit të kompozitorit italian.
Xhakomo Puçini
Lindi më 22 dhjetor të vitit 1858 dhe vdiq më 29 nëntor të viti 1924. Mendohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fundshekullit të 19-të dhe të fillim shekullit të 20-të. Operat e tij më të njohura janë: “Bohema”, “Toska”, dhe “Madama Batterfly”, të cilat janë ndër më të shfaqurat në repertorin standard. Puçini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarë botëror, veçanërisht aria “Nessun dorma”, nga “Turandot”, e cila u këndua nga Luciano Pavarotti, në vitin 1990 me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili u zhvillua në Itali. Puçini u lind në Luça, të Italisë në një familje me traditë të gjatë muzikore. Pas vdekjes së të atit Mikele Puçinit kur ai ishte vetëm pesë vjeç, ai u dërgua të studionte me xhaxhain e tij Fortunato Magi, i cili e mbante atë për një student të keq e të padisiplinuar. Më vonë, ai hyri si organist në kishë dhe mjeshtër kori, por ai nuk ishte ende i frymëzuar të bëhej kompozitor operash, gjersa pa një shfaqje të “Aidës” së kompozitorit Xhuzepe Verdit. Ai dhe një shok i tij bënë gati 21 km rrugë në këmbë për të shikuar një shfaqje në Piza. Jeta personale e Xhakomo Puçinit ishte e shumëllojshme dhe e larmishme, sikurse edhe operat e tij, por vetëm së fundi kanë dalë në shesh fakte të tjera tronditëse. Bëhet fjalë për një histori të jashtëzakonshme tradhtish, xhelozish dhe hakmarrjesh, që vazhdon të ndikojë në jetën e pasardhësve të tij edhe sot e kësaj dite. Xhakomo Puçini ishte kompozitori më i suksesshëm për sa u përket fitimeve të fituara nga puna e tij. Kur ndërroi jetë në vitin 1924, pasuria e tij, në standardet e sotme, arrinte në 260 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj pasurie u krijua gjatë viteve 1895-1904, kur mjeshtri nxori në dritë tri prej operave më të luajtura në skenën botërore: "La Boheme", "Tosca" dhe "Madama Butterfly". Pas këtyre sukseseve, ai u tërhoq në njëfarë mënyre, duke lënë të pambaruar "Vajza e Perëndimit". Kur e përfundoi, ajo, gjithsesi, nuk ishte në lartësinë e tri operave të tjera.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2010