Briatore: “Viti 2007, jo problematik për Renault”

Edhe pse do ta vuajnë shumë largimin e Alonsos te McLaren, padroni i
Renault Flavio Briatore gjatë prezantimit të makinës së re R27 është shprehur i sigurt se suksesi i skuderisë franceze do të vazhdojë edhe në 2007-ën. Briatore është dukur entuziast me dyshen e pilotëve Fizikela-
Kovalainen. "Sezoni i ri nuk do të jetë i vështirë për ING Renault. Ne gjithmonë kemi thënë se suksesi vjen nga shpirti i skuadrës, i cili do ta na bashkojë edhe këtë kampionat. Prandaj 2007-ta do të jetë një mundësi fantastike për ta provuar këtë gjë", deklaroi italiani. Sipas tij shanset për Reno për të bërë të trefishtë titullin kampion nuk mungojnë. "Ne besojmë në zgjedhjet tona dhe jemi të sigurt se këto do të na ndihmojnë për të arritur triumfe të tjera", theksoi Briatore. I të njëjtit mendim është edhe piloti i Renault, Xhankarlo Fizikela. Italiani megjithëse parashikon një garë të vështirë beson se Reno nuk do të dorëzohet për botërorin. "Unë mezi po e pres fillimin e sezonit të ri. Të gjithë dëshirojmë të fitojmë të dyja betejat si për pilotë dhe për kontruktorë. Si zakonisht do të jetë e vështirë për të fituar dhe për t'u ngjitur në podium, por kjo është pjesë e detyrës sime. Do të përqëndrohemi për të marrë pikët maksimale në cdo cirkuit. Kundërshtarët tanë kryesorë janë Ferrari, Fernando Alonso, ndoshta edhe disa të tjerë. Por le të presim kampionatin ", përfundoi Fizikela.