Bekim Kastrati, “vuajtja” vazhdon edhe 2-3 javë

Sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe i skuadrës gjermane të Bundesliga 2, Eintracht Braunschweig, Bekim Kastrati, po vazhdon që ta vuajë dëmtimin e pësuar më 1 tetor të vitit të kaluar. Edhe pas gati katër muajsh faze rehabilituese për shqiptarin, duket se dita e rikthimit në fushë nuk do të jetë shumë e afërt. Edhe pse ishte menduar për një rikthim të tij pikërisht në fillimin e fazës së dytë të sezonit aktual në Bundesliga, gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë dhe Kastrati duhet të presë të paktën edhe dy apo tri javë për ta filluar stërvitjen bashkë me skuadrën.
"Qëllimi ynë është që Bekimi të prezantohet me ekipin të paktën për në fund të sezonit", ka deklaruar të mërkurën mjeku i skuadrës së Eintracht Braunschweig, Frank Maier.
Sulmuesi shqiptar ishte marrë nga skuadra e Braunschweig me shpresën se do të ishte zgjidhja e problemeve të sulmit, por deri më tani Kastrati ka zhvilluar vetëm gjashtë ndeshje me skuadrën e Eintracht dhe ka shënuar një gol.