E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Shqiperi - Slloveni në Loro Boriçi

Më në fund është zbuluar enigma se në cilin stadium do të zhvillohet ndeshja e 24 marsit, Shqipëri-Slloveni, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. "Loro Borici" i Shkodrës do të presë takimin eliminator të fund marsit pasi gjithcka është zyrtarizuar tashmë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Megjithëse gjatë këtyre ditëve të fundit ishte folur shumë nën zë se do të ishte pikërisht stadiumi i Shkodrës, ai që do të priste takimin kundër sllovenëve, institucioni i futbollit ka pritur ditën e fundit të afatit që përcakton UEFA për të caktuar vendin ku do të zhvillohet ndeshja. Dje FSHF-ja i ka nisur një faks institucionit të futbollit europian ku e bën me dije se takimi i 24 marsit Shqipëri-Slloveni do të luhet në stadiumin e Shkodrës, "Loro Borici". Një lajm të tillë e konfirmon zëdhënësi për shtyp i Federatës, Lysien Nurishmi, i cili deklaron se është përcaktuar edhe orari i zhvillimit të ndeshjes, që do të jetë 20:15. "Federata Shqiptare e Futbollit ka dërguar sot në zyrat e UEFA-s shkresën zyrtare ku njoftohet se ndeshja e vlefshme për Eleminatoret e Kampionatit Europian 2008, Shqipëri-Slloveni do të zhvillohet në stadiumin "Loro Borici" në Shkodër. Kjo ndeshje do të fillojë në orën 20:15. Në strategjinë e FSHF-së është parashikuar që ndeshjet e përfaqësueses të zhvillohen në qytete të ndryshme duke i dhënë mundësinë të gjithë futbolldashësve të ndjekin nga afër kuqezinjtë" deklaroi Nurishmi. Ky i fundit shjegon se në përcaktimin e orarit të fillimit të ndeshjes ka ndikuar shumë kompania "Sport Five", e cila zotëron të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të kombëtares. "Kompania që zotëron të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të kuqezinjve është e interesuar që takimi të zhvillohet me drita pasi kjo i sjell më shumë fitime. Pikërisht për këtë shkak është vendosur që ndeshja eliminatore kundër Sllovenisë të fillojë në orën 20:15" përfundoi Nurishmi. Por nuk mund të thuhet ende se gjithcka ka përfunduar plotësisht pasi tashmë do të jenë specialistët e UEFA-s, ata që do të vizitojnë stadiumin e Shkodrës dhe më pas do të japin ose jo OK-in përfundimtar. Pritet që të dërguarit e institucionit të futbollit të vizitojnë së shpejti vendin tonë. Ndërkaq, që edhe ndeshja miqësore Shqipëri-Maqedoni do të luhet në stadiumin "Loro Borici" në datën 7 shkurt në orën 16:00, pasi trajneri i kuqezinjve, Oto Baric kishte kërkuar që të dyja takimet të luheshin në të njëjtin stadium. Ndërkohë, kjo zhvendosje e ndeshjes erdhi si pasojë e mos arritjes së akordit midis Federatës dhe drejtorisë së stadiumit "Qemal Stafa". Për këtë cështje, drejtori i SHA-së së impiantit të kryeqytetit, Perikli Dhales deklaron se drejtoria që ai drejton nuk mund të pranonte kurrsesi ndarjen e fitimeve nga shitja e biletave në atë përqindje që kishte propozuar FSHF-ja. "Ne jemi një SHA dhe funksionojmë në bazë të fitimeve që nxjerrim nga zhvillimi i ndeshjeve në këtë stadium. Nuk mund të pranonim kurrsesi që fitimet të ndaheshin 70%-30% për Federatën. Ne i kërkuam atyre që fitimi të ndahej në mënyrë të barabartë 50%-50% pasi vetëm kështu është normale. Drejtoria e stadiumit duke qenë SHA është e përbërë nga disa aksionerë. 100.000 lekë ja japim KESH-it për ndricimin, një pjesë e mirë e fitimeve i takojnë edhe Ministrisë së Ekonomisë pasi edhe ajo është aksionere në këtë SHA. Pa përmendur pastaj harxhimet për mirëmbajtjen e fushës, ambjenteve si jashtë ashtu edhe brenda stadiumit, pagat e punëtorëve e shumë gjëra të tjera. Kështu që nëse ne do të pranonim atë përqindje atëherë do të dilnim me humbje" përfundoi drejtori Dhales. Ndërkohë që nga burime të afërta pranë Ministrisë së Ekonomisë mësohet se akisonere në SHA-në e stadiumit është edhe MTKRS-ja të cilës i takojnë 2/3 e fitimit.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›