Briatore përjashtohet nga Formula 1
Skandali i radhës që tronditi botën e Formula, "crash-gate", u mbyll me një ledhatim për Renaultin dhe "sakrifikimin" e Flavio Briatores. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Botëror të FIA-s, e cila u zhvillua dje në Paris, federata ndërkombëtare shqyrtoi akuzat e lëshuara nga Nelsinjo Pike, kundër drejtuesve të skuadrës franceze. Piloti brazilian rrëfeu se e kishte shkaktuar me qëllim aksidentin e vitit 2008 në Çmimin e Madh të Singaporit: ai theksoi se këtë veprim e bëri pas presioneve nga drejtuesi i skuderisë, Flavio Briatore dhe nga drejtori teknik, Pat Simonds, të cilët kishin si qëllim, që të favorizonin Fernando Alonson, i cili u shpall fitues i asaj gare. Pasi shqyrtoi faktet, FIA vendosi ta ndëshkonte Renaultin dhe dy drejtuesit e implikuar në këtë skandal, duke konfirmuar se mashtrimi ekzistonte. Akuzat e Pike i kushtuan skuadrës franceze dy vjet skualifikim, deri në vitin 2011, por me kusht. Ndryshe ky vendim përkthehet që masat ndëshkimore nuk do të hyjnë menjëherë në fuqi, por bëhen efektive vetëm nëse gjatë këtyre dy vjetëve, skuadra do të përfshihet sërish në ndonjë skandal. Ndryshe nga sa mendohej, Këshilli Botëror nuk ka vendosur asnjë gjobë financiare (përpara mbledhjes mendohej se Reno do të gjobitej me 50 milionë euro). Kjo për shkak se skuadra bashkëpunoi me FIA-n për të gjetur shkaktarët e lojës së padrejtë. Ata që e pësuan më shumë ishin Briatore dhe Simonds, të cilët kishin dhënë dorëheqjen nga postet respektive që prej datës 16 shtator.
Ish-menaxheri i skuadrës së Formula 1 është përjashtuar "për një kohë të papërcaktuar nga çdo aktivitet i cili lidhet me këtë sport", ndërsa Simonds u skualifikua për një periudhë 5-vjeçare. Për sa i takon pilotit Pike Xhunjor, "World Motor Sport Council" i FIA-s bëri të ditur se "braziliani ka përfituar imunitetin nga ndëshkimet individuale. Ky vendim është bazuar në kodin sportiv ndërkombëtar, për shkak të bashkëpunimit të tij në zbardhjen e asaj që ka ndodhur. Në këmbim të dëshmisë për mashtrimin e dy drejtuesve të Renosë, Pike nuk do të penalizohet". Ndërkohë, piloti tjetër i Renaultit, spanjolli Fernando Alonso u falënderua për bashkëpunimin në hetimet e FIA-s dhe për pjesëmarrjen në mbledhje. Edhe pse dy herë kampioni i botës ishte përfituesi i drejtpërdrejtë nga ky skandal, në vendim theksohej se "Alonso nuk ishte i përfshirë në veprimet, ku skuadra Renault theu rregullat".