E Diel, 1 Nëntor 2026

Milan, Galiani sulmon Murinjon

Polemika në distancë mes Milanit dhe Interit po përjeton përditë nga një puntatë të re. Shashkën e parë e kishte hedhur para tri ditësh Zhoze Murinjo, i cili kishte ironizuar në lidhje me grupin e Champions League, ku bëjnë pjesë kuqezinjtë. "I yni është një grup serioz, në të nuk bëhet shaka, pasi nuk bëjnë pjesë skuadra si Zyrihu. Ky grup përbëhet nga katër skuadra, të cilat janë edhe kampionet në vendet e tyre përkatëse", kishte thumbuar Murinjo pas kritikave që iu bënë në lidhje me lojën e paraqitur ndaj Barcelonës në stadiumin "San Siro". Replika ka ardhur paksa me vonesë, por gjithsesi ka qenë e hidhur. Ajo mban firmën e administratorit të deleguar të kuqezinjve, Adriano Galianit, i cili ka ironizuar me deklaratat e portugezit. "Nëse Milani është e vetmja skuadër që ka Zyrihun në grup, kjo një motiv duhet ta ketë, shpjegon drejtuesi i lartë i skuadrës kuqezi. Arsyeja është se jemi skuadra e vetme italiane që merr pjesë në vazon e parë të shortit. Dhe pastaj Zyrihu është skuadra kampione e Zvicrës. Në dhjetëvjeçarin e fundit, Milani ka fituar 5 trofe ndërkombëtarë, ndërsa të tjerët zero. Ata që po fitojnë në Itali (nënkupton Interin), numërojnë zero trofe në këtë periudhë në Europë. Vetë Juventusi ka bërë ndonjë finale, por nuk ka fituar asnjëherë". Më pas e ka drejtpërdrejtë me Murinjon: "Murinjo nuk hyn fare në këtë muhabet, nënvizon Galiani. Ai ka fituar Champions me Porton, por lojtarët tanë janë dragonj të vjetër, që kanë fituar gjithçka dhe e kanë bërë Milanin të madh, prandaj t‘i zëvendësosh është një detyrë e vështirë". "Është e vërtetë që në jetë të gjithë do të donin të kishin gjithçka. Përse nuk ia dalim nuk e di, por kur ankohesh do të ishte më mirë të kujtohemi për atë çfarë kemi bërë gjatë këtyre viteve, përpiqet të sqarojë më tej numri dy i klubit të Milanit. Nuk ekziston asnjë sport, ku të jesh kampion i Italisë do të ishte më e rëndësishme sesa të jesh kampion i Europës, ka shtuar më pas administratori i deleguar i kuqezinjve. Tifozët tanë mund të kenë të drejtë të ankohen për ndonjë rezultat negativ në kampionat, por do të doja t‘ju propozoja atyre një sondazh: a do t‘i barazonin pesë trofetë ndërkombëtarë të fituar nga Milani në mileniumin e ri me ato çfarë ka fituar Interi në Itali gjatë këtyre viteve? Epo prandaj unë nuk ndryshoj". Me një gur ka vrarë "dy zogj": jo vetëm Murinjon, por edhe tifozerinë e kuqezi, e cila e ka kritikuar në fillim merkaton dhe më pas ndeshjet e para në kampionat të skuadrës së Leonardos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›