E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brichambaut takon Ramën, deklarohet dhe grupi socialist i OSBE

TIRANE-Një takim plot 1 orë e 45 minuta ka zgjatur sot në selinë e PS mes kreut të opozitës, Edi Rama dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, zotin Marc Perrin de Brichambaut. Ne fund të takimit Rama ka përcjellë de Brichambaut, por nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat.
De Brichambaut ka zhvilluar ditën e sotme takime me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, të cilët kanë informuar për situatën më të fundit në Shqipëri. Personalitetet kanë shprehur para përfaqësuesit të OSBE pikëpamjet e tyre mbi procesin zgjedhor që pritet të zhvillohet më 8 Maj si dhe për ngjarjet e 21 Janarit.

Shqipëria, deklarohet Grupi Socialist në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së
Po sot, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, zoti Marc Perrin de Brichambaut zhvilloi në Tiranë vizita me përfaqësues të politikës, gjatë Sesionit Dimëror të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Grupi Socialist shprehu shqetësimin mbi zhvillimet e fundit në Tiranë. Grupi dënoi dhunën dhe përdorimin e armëve të zjarrit kundër demonstruesve të paarmatosur, që rezultoi në një numër të vrarësh dhe dhjetëra të plagosur, përfshirë dhe gazetarë, citon Tony Lloyd, Anëtar Parlamenti, kryetar i grupit socialist në asamblenë Parlamentare të OSBE.

Grupi shprehu keqardhjen për humbjen e jetëve dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndihmojnë në qetësimin e situatës.
Po kështu, grupi socialist u bëri thirrje autoriteteve që të lejojnë një hetim të pavarur dhe të plotë të këtyre ngjarjeve në mënyrë që të nxirren përpara drejtësisë përgjegjësit për dhunën dhe për vrasjet.
“Ne e mirëpresim dialogun dhe mjetet paqësore për zgjidhjen e problemit të Shqipërisë, por insistojmë se liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar paqësisht janë vlera themelore për të gjitha vendet anëtare të OSBE”, thekson deklarata për shtyp e grupit socialist në këtë asamble.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›