Brigel, rekordmeni i pathyer dhe nga Bariçi

Kur Shqipëria u ngjit në kuotën e 11 pikëve pas barazimit të merituar me Bullgarinë (1-1), të gjithë specialistët dhe optimistët besuan se Oto Baric do të thyente rekordin e parardhësit të tij, gjermanit Hans Peter Brigel, i cili arriti të grumbullojë 13 pikë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006, duke zënë edhe vendin e pestë në grup. Përfaqësuesja e Baricit humbi në mënyrë të turpshme me Bjellorusinë (2-4) në Tiranë ( u fol edhe për një puc nga ana e lojtarëve) dhe u shkatëruar në Bukuresht (6-1) me Rumaninë, një një nga performancat më të shëmtuara të njëzet viteve të fundit. Baric i kishte të gjitha mundësitë për të grumbulluar 14 pikë, madje premtoi se do të merrte katër pikë nga dy ndeshjet e fundit, por mbeti në kuotën e 11 pikëve, duke mos e thyer dot rekordin absolut të Brigelit. Me dy ndeshjet e fundit e ardhmja e Baricit nuk kishte si të vazhdonte më. Alternativa më e besushme post-Baric mbetet slloveni Srecko Katanec.