E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brindisi në foto

04/05/2010 Përmes fotografive është kapur çasti dhe figura e qytetit vjen e plotë dhe artistike në spontanitetin e tij.

“Brindisi, qyteti i mirëpritjes” është ekspozita e çelur që më 1 maj në Akademinë e Arteve në Tiranë, inaugurimi i së cilës do të bëhet sonte shoqëruar me verën e Brindisit. Nëpërmjet kësaj nisme, dëshirohet që Brindisi të paraqitet nëpërmjet një sërë fotografish të çastit të një qyteti, i cili duke qenë kandidat i kryeqytetit evropian të kulturës, ka dëshirë të tregojë vetveten dhe bashkë me këtë edhe krenarinë që gjen tek qytetarët e vet.

Fotografia, duke u barazuar me arkitekturën, mbetet një nga gjuhët më shprehëse për njohjen e një territori ose të një komuniteti njerëzor. Kjo ekspozitë, sipas organizatorëve, nuk dëshiron të jetë një përfaqësim ikonografik i tipit turistik ose promovues, por një ngjarje, ku monumentalja dhe e përditshmja, vende arkeologjike me shumë rëndësi dhe skena të devotshmërisë fetare dhe të kulturës në një kuptim më të gjerë shkrihen, tregojnë për një qytet, ku fotografia shndërrohet në një gjuhë, me anë të së cilës interpretohet një realitet. Nëpërmjet fragmenteve fotografike ata që tregojnë qytetin janë të rinjtë e Brindisit.

Fotografitë nga “Brindisi portfolio”, të ekspozuara në sajë të nismës së Bashkisë së Brindisit, kryetarit Domenico Mennitti dhe Av. Giacomo Massimo Ciullo, do të mund të shihen nga publiku deri më 9 maj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›