E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët “braktisin” Lul Berishën, gjykata i zëvendëson me 2 të tjerë

04/05/2010 Dorëhiqen Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia

TIRANË- Avokatët Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia, të cilët mbrojnë në gjyq interesat e të pandehurit Lulëzim Berisha, i njohur si kapoja i “ Bandës së Durrësit”, kanë dhënë dorëheqjen. Të dy në mënyrë demonstrative, ata kanë lënë sallën e gjyqit, duke mos iu bindur as trupit gjykues, që disa herë i kishte paralajmëruar për shkelje të etikës gjyqësore dhe marrjes së fjalës pa pyetur më parë kryesuesin e seancës. Mbrojtja është shprehur se jep dorëheqje, për shkak se trupi gjykues gjatë gjithë kohës është treguar i njëanshëm në marrjen e provave dhe se jo në pak raste ka bërë komunikim jo ligjor me ta. Një reagim tjetër i avokatëve ka të bëjë edhe me pyetjen e dëshmitarëve dhe mënyrën se si janë trajtuar ata nga ana e akuzës. Sipas tyre, dëshmitarët manipulohen në disa raste nga prokurorët dhe kjo është në dëm të procesit. Por gjykata i ka bërë të ditur dy mbrojtësve, Qeleshi dhe Ila se nuk mund të largohet në mënyrë demonstrative, por duhet të zbatojnë Kodin e Procedurës Penale. Sipas këtij kodi, edhe në rastet kur jepet dorëheqje, avokatët duhet të qëndrojnë në mbrojtje të interesave të klientëve të tyre deri sa të zëvendësohen. Menjëherë pas largimit nga salla, Gurali Brahimllari ka bërë zëvendësimin e dy avokatëve me ata kryesisht. Në këto kushte ai i la kohë për t’u njohur me dosjen me qëllim vazhdimin e seancës ditën e enjte. Procesi në ngarkim të 17 të pandehurve që akuzohen për ngjarje të rënda në qytetin e Durrësit në vitet 1997 –1998, ka hyrë në një fazë tepër të rëndësishme. Pasi është dëgjuar Adriatik Coli, i penduari i drejtësisë dhe ka rrëfyer gjithë veprimtarinë e kësaj bande, madje ka zbërthyer dhe kontradiktat mes dy rivalëve, prokurori ka sjellë të tjerë dëshmitarë. Tashmë seancat po bëhen me dyer të hapura dhe numri i dëshmitarëve është tepër i madh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›