Britani - Kinë, nënshkruhet marrëveshje tregtare
Britania e Madhe dhe Kina kanë rënë dakort për forcimin e marrëdhënieve për të luftuar rënien ekonomike, pas takimit midis kryeministrit britanik Gordon Braun dhe atij kinez Uen Zhiabao. Braun është shprehur se dy vendet kanë rënë dakort për zgjerimin e tregtisë dhe dyfishimin e eksporteve britanike drejt Kinës. "Marrëveshja më e rëndësishme është ajo mbi zgjerimin e tregtisë midis dy vendeve tona dhe unë besoj se dyfishimi i eksporteve në 18 muajt e ardhshëm është dicka thelbësore për të ndihmuar në rigjallërimin e ekonomisë botërore", deklaroi Gordon Braun në një konferencë për shtyp me homologun Zhiabao. Ndërkohë që kryeministri kinez tha se është e një rëndësie të vecantë si për Kinën edhe për Europën, marrja e përgjegjësive përkatëse për zgjidhjen e situatës ekonomike globale. "Për Kinën është themelore që ekonomia dhe tregtia në afatin e gjatë të kohës të mbeten të pandryshueshme. Kështu që liderët e Kinës dhe Europës duhet të tregohen të zotët në mënyrë që të marrin përsipër përgjegjësitë dhe t'u rrezatojmë besim popujve tanë dhe bizneseve", theksoi Zhiabao në vizitën e fundit të turit të tij europian të zhvilluar në Britaninë e Madhe. Rreth 20 milionë kinezë kanë humbur vendet e tyre të punës, teksa rritja ekonomike ka rënë ndjeshëm. Marrëdhëniet mes Kinës dhe Europës, vecanërisht me Francën, u tensionuan kohët e fundit mbi cështjen e Tibetit dhe takimin e liderit budist Dalai Lama me Presidentin francez Nikolas Sarkozi. Pekini zyrtar e cilëson Dalai Lamën si një separatist të rrezikshëm që kërkon autonominë e Tibetit.