E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç:Kosova nuk do hyjë në OSBE

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç ka deklaruar se Serbia asnjëherë nuk do pajtohet që të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OSBE. Vuk Jeremiç i bëri këto komente pas takimit me ministren e Jashtme të Greqisë Dora Bakojanis, e cila ndodhet për vizitë në Beograd në cilësinë e kryesueses së radhës të OSBE-së. Greqia është mbështetëse e implementimit të marrëveshjes së stabilizim asociimit të BE-së me Serbinë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe është një nga pesë vendet europiane që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. "Ne i jemi mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e saj për gjëra që janë shumë të rëndësishme për Serbinë. Veçanërisht për qëllimin strategjik të qeverisë serbe për vitin 2009-të, që është vazhdimi i përpjekjeve për t'iu bashkuar Bashkimit Europian", tha Jeremiç në një konferencë për shtyp me Bakojanis. Kryediplomatja greke pritet që ditën e martë të vizitojë edhe Prishtinën. E pyetur nëse ekziston mundësia e zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, Bakojanis u përgjigj: "Qeveria greke është zgjedhur para një viti e gjysmë. E di që mediat greke kanë spekuluar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por nuk është ky qëllimi ynë. Ne kemi përgjegjësi për menaxhimin e shtetit në kohë krizash dhe të bëjmë më të mirën për të dalë nga to". Javën e ardhshmë, Bakojanis do të vizitojë edhe Tiranën, ku pritet të zhvillojë takime të shumta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›