Britani e Madhe, protestojnë policët

Mbi 30,000 oficerë policie kanë marshuar të enjten në Londër, ndërsa qindra-mijëra punëtorë të sektorit publik në Britani kanë hyrë në grevë, kundër masave shtrënguese të qeverisë.
Greva 24-orëshe është e fundit në serinë e aksioneve protestuese, që kur qeveria e Dejvid Kameronit ka ardhur në pushtet, në vitin 2010.
Oficerët e policisë kanë vënë kapele bejsbolli me mbishkrimet “Shkurtimet janë kriminale”.
Qeveria ka ndërmarrë shkurtime të shpenzimeve dhe ndryshime të pagave dhe pensioneve të tyre.
Policia, e cila sipas ligjit britanik e ka të ndaluar të zhvillojë grevë, ka paralajmëruar se masat e qeverisë për të reduktuar deficitin rekord, vënë sigurinë publike në rrezik.
Oficerët e burgjeve kanë marrë pjesë gjithashtu në protestë.