Shtetet e ishujve të vegjël diskutojnë mbi ndryshimin e klimës

Ekspertë nga më shumë se 50 vende-ishuj të vegjël po takohen këtë javë në Mauritius, për të diskutuar mbi ndryshimin e klimës dhe sigurisë ushqimore. Të ashtuquajturat Shtete Ishuj të Vegjël në Zhvillim banohen nga më shumë se 50 milionë njerëz.
Kombet e ishujve të vegjël përfshijnë Haitin, Fixhin, Xhamajkën dhe Mauritiusin, vend i cili po organizon takimin, i quajtur Ekonomitë e Ishujve të Vegjël: Nga dobësitë tek mundësitë. Ndër ata që marrin pjesë është edhe Michael Hailu, drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Bujqësor dhe Rural.
“Vendet ishuj të vogla në zhvillim kanë shumë dobësi për shkak të përmasës së tyre të vogël. Për të ardhurat e tyre ato varen shumë nga mallra të vetme apo turizmi. Ato janë gjithashtu të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive të tjera natyrore. Pra këto vende përballen me një grup shumë të veçantë problemesh. Hailu”
Ai thotë se shtetet dhe territoret e ishujve të vegjël janë duke vënë re tashmë efektet e ndryshimit të klimës. “Në shumë prej këtyre ishujve, ka kushte atmosferike ekstreme, ka uragane dhe periudha të thata më të shpeshta dhe gjëra të tjera si këto. Pra, ata janë shumë të ndjeshëm dhe kanë pësuar shumë fatkeqësi natyrore si për shembull Haiti e shumë ishuj të tjerë që janë ballafaquar me këto probleme” shton Hailu.
Ato vende janë gjithashtu të shqetësuara lidhur me paqëndrueshmërinë e çmimeve të ushqimit, një fenomen që është kthyer në normalitet që nga kriza ushqimore globale e vitit 2007-2008.
Pjesëmarrësit e konferencës janë duke shqyrtuar të dyja sfidat dhe mundësitë që mund të krijohen. Kombet e ishujve pritet që të shprehin shqetësimet dhe idetë e tyre në konferencën për zhvillim të qëndrueshëm Rio+20, e cila do të zhvillohet në qershor. Organizata e Kombeve të Bashkuara klasifikon 52 vende dhe territore, si Shtete të Vogla Ishuj me ekonomi në zhvillim. Shumica prej tyre ndodhen në rajonet e Karaibeve dhe Paqësorit.