Agjenti nën mbulim, ishte britanik

Njeriu që arriti të sabotonte sulmin ajror me bombë të Al–Kaedas, raportohet nga media amerikane të ketë qenë një britanik me origjinë nga Lindja e Mesme.
Megjithatë zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk pranuan të komentojnë mbi këto raporte, por më herët gjatë kësaj jave Shtetet e Bashkuara pohuan se në operacion kanë qënë të përfshira edhe agjencitë e huaja.
Agjenti në fjalë u dërgua nga baza e Al-Kaedas në Jemen për të sulmuar një aeroplan në SHBA, por ai u largua nga Jemeni dhe u dorëzoi pajisjen shërbimeve të inteligjencës amerikane.
Agjenti është raportuar se tashmë gjendet i sigurtë në Arabinë Saudite, ndërsa analistët e FBI-së në SHBA po studiojnë pajisjen.
Korrespodenti i BBC-së, në Uashington, thotë se është joortodokse për agjencitë e zbulimit të zbulojnë detaje rreth operacioneve të njëra-tjetrës.
Sipas tij nëse kjo është e vërtetë, çështja mund të shkaktojë ngritje vetullash në agjencitë e inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar.