Britani-Gjermani, protesta kundër G20-s
Autoritetet e rendit në kryeqytetin britanik Londër janë përfshirë të shtunën në një operacion të gjerë sigurie për shkak të një marshimi proteste në prag të samitit të javës së ardhshme të G20-ës për krizën ekonomike botërore.Në marshimin e Londrës, policia ka përllogaritur një pjesëmarrje prej rreth 40 mijë protestuesish që kërkonin marrjen e masave kundër varfërisë, papunësisë dhe ndryshimit të klimës. Organizatorët shprehen se duan ta përçojnë mesazhin e tyre në mënyrë paqësore dhe i hedhin poshtë sugjerimet e policisë se marshimi mund të shndërrohet në protestë të dhunshme. Autoritetet britanike janë vënë në gjendje gatishmërie në mënyrë që gjatë demonstratave të ditëve të ardhshme nga aktivistët kundër kapitalizmit të mos ketë përleshje nëpër rrugë. Ndërkohë që rreth 10 mijë sindikalistë dhe përkrahës të forcave të majta kanë protestuar edhe nëpër rrugët e kryeqytetit të Gjermanisë, Berlin me një mesazh për udhëheqësit e vendeve të G20-ës: "Ne nuk do të paguajmë për krizën tuaj". Protestuesit janë përleshur me policinë. Zyrtarët e policisë gjermanë janë shprehur se një numër i madh demonstruesish janë arrestuar. Një demonstratë e ngjashme është zhvilluar edhe në Frankfurt, qendra financiare e Gjermanisë.