BE,anëtarësim Ballkanit pas traktatit të Lisbonës
Liderët europianë kanë siguruar se shtetet e Ballkanit kanë vendin e tyre në BE, duke pranuar se një dështimi i mundshëm i ratifikimit të Traktatit të Lisbonës do të vështirësonte anëtarësimin e tyre. "Ndodhem këtu për t'iu shpjeguar partnerëve tanë të Europës Perëndimore se shtetet e Ballkanit janë pjesë e Europës dhe si të tilla duhet të jenë pjesë e BE-së", deklaroi ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarxenberg, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me homologët e tij europianë në jug të Republikës Çeke. Disa shtete të Europës duken për ditë e më tepër skeptike në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të bllokut të BE-së. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kërkuar kohët e fundit një pushim të zgjerimit të bllokut pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2011. "Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë një perspesktivë europiane. Kemi dëshmuar se BE-ja duhet të mësojë nga historia e saj dhe kjo histori tregon se bashkimi bën fuqinë", është shprehur ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe Dejvid Miliband. "Faza më e mirë nëpër të cilën ka kaluar BE-ja këto dhjetë vitet e fundit ka qënë zgjerimi i saj në vitin 2004, ku dhjetë vende u bënë anëtare të bllokut dhe këtë duhet ta mbajmë mend mirë", tha kryediplomati i Finlandës, Aleksander Shtub. Por ai shtoi se nëse Traktati i Lisbonës nuk do të hyjë në fuqi, siç është parashikuar për vitin 2010, kjo do ta vështirësomte zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit. Ministri i Jashtëm sudez Karl Bild, vendi i të cilit do të marrë presidencën e BE-së më 1 korrik të këtij viti u shpreh se pa ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, situata mund të komplikohej dhe do të duhej të bëheshin disa ndryshime në mekanizmat e votimit. Ndërkohë që ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner u shpreh skeptik lidhur me këtë problem.