E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë, greviste për një ditë...

Nuk është shaka. Unë, do të hyj sot në mëngjes, pikërisht në orën 9.00 në çadrat e grevistëve të urisë vendosur në qendër të Tiranës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë kryeministrisë. Do të jem aty për 24 orë me radhë, dhe do të dal prej andej në orën 9.00 të mëngjesit të së shtunës.
Gjatë 7 ditëve që kemi raportuar në faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve për atë që ndodh brenda mjediseve të grevës, e kemi parë në mënyrë sporadike, me pasazhe të shkurtra, duke mos krijuar një ide të saktë se ç’ndodh me grevistët për 24 orë.
E pra, unë do të ndaj 24 orë me ta, duke zbatuar po aq rregullat e grevës së urisë së 200 vetëve që janë vendosur para kryeministrisë.
Eshtë dita e 7, dhe ndoshta, pas një jave, një grevë ka dhe kulmin e saj. Do të shikoj nga afër deputetët, mënyrën sesi organizohen ata dhe militantët, kur flenë, kur zgjohen, cila është higjiena, si lahen, cila është kauza, si është gjendja e tyre, cilat janë bisedat që bëjnë, çfarë lexojnë e çfarë shohin...Sigurisht, për një reportazh të plotë në GSH, dhe raportime live në News24, do të jem atje dhe unë duke respektuar grevën e tyre të urisë.
Do të jem aty për të ndarë me lexuesit tanë të gazetës dhe shikuesit e televizionit, arsyet e protestës (deri në flijim) të tyre. Edhe pse respektoj grevën e tyre, qëllimet e mia nuk janë të njëjta. Jam një gazetare e pavarur, dhe kështu do të mbetem. Do të jem aty për të kuptuar sesi jetohet pa ngrënë për 24 orë, e aq më tepër, për 7 ditë me radhë sikurse ka ndodhur me ata grevistë...Më pas këtë do t’jua tregoj dhe ju.
Për të treguar luftën, gazetarët veshin të njëjtat uniforma me ushtarët, dhe shkojnë së bashku me ta në luftë: por nuk luftojnë, qëndrojnë në mes të saj. Këtë e kemi bërë edhe ne në 1997: për të treguar atëherë “luftën tonë”, brodhëm në gjithë Shqipërinë.
Këtë do bëj dhe unë sot. Shpresoj t’ia dal për t’ju treguar ju, realitetin atje brenda.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›