E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajden: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme

Zëvendëspresidenti amerikan, Xhozef Bajden (Joseph Biden), tha në Prishtinë se SHBA-ja e ka bërë të qartë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe nuk do të ndryshojë.

Ai tha se një Kosovë e bashkuar dhe e pandarë është plotësisht thelbësore.

Zv/presidenti Bajden, pas takimit me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, tha se "kjo është një mundësi historike, që pas Luftës së Dytë Botërore, që SHBA-ja dhe shumica e vendeve evropiane e kanë ëndërruar për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe një pjesë".

Por, sipas tij, e vetmja pjesëz që i mungon këtij mozaiku, megjithëse në paqe, për herë të parë në historinë e Ballkanit, do të ketë mundësinë të bashkohet në Evropë.

Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq, zoti Bajden tha se mbështetja e SHBA-së për një Kosovë të pavarur dhe sovrane do të vazhdojë dhe ka kërkuar nga autoritetet në Beograd që të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar për mirëqenien e tërë popullit të Kosovës.

"U kam kërkuar që të inkurajojnë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe të shpërndajnë strukturat paralele. Ju kam kërkuar udhëheqësve të Serbisë që të përfundojnë embargon tregtare ndaj Kosovës dhe ua kam bërë të qartë se Kosova nuk mund të ndahet", tha zoti Bajden.

Por, ndërkohë, ai tha se është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të tejkalojnë trashëgiminë e ndarjes, mosbesimit dhe të frikës në vend. Sipas tij, është e domosdoshme që shumica t‘i afrohet pakicës serbe për të krijuar një dialog dhe një mbrojtje për të dhe pakicat e tjera.

"Duhet të bëhet gjithçka për të krijuar kushtet për kthimin e të zhvendosurve serbë dhe të komuniteteve të tjera në pronat dhe shtëpitë e tyre anekënd Kosovës. Është thelbësore që të krijohen kushtet e tilla dhe të ketë një shoqëri të lirë dhe të hapur", tha Xhozef Bajden, duke kërkuar gjithashtu edhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, posaçërisht asaj serbe.

Pritja

Zëvendëspresidenti amerikan, Xhozef Bajden, arriti në aeroportin e Prishtinës para orës 10 të së enjtes, i pritur nga ministri i Jashtëm i Kosovës, ambasadorja amerikane në Prishtinë dhe 50 nxënës të Shkollës Amerikane në Prishtinë.

Mijëra qytetarë të Kosovës e kanë përshëndetur me lule dhe me flamuj amerikanë e të Kosovës zotin Bajden.

Ai u dekorua nga Presidenti i Kosovës me "Medaljen e Artë të Lirisë" gjatë një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Mbështetja dhe porositë

Zëvendëspresidenti amerikan, gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, tha se suksesi i një Kosove së pavarur është përparësi e administratës së SHBA-së dhe siç e quajti ai, elementi kyç në politikën e saj që të ndihmohen vendet e Ballkanit, këtij rajoni që për herë të parë në histori të jetë i integruar në Evropë. Zoti Bajden ka përgëzuar institucionet e Kosovës për krijimin e një demokracie shumetnike, që është në paqe me vendet e rajonit. Ai ka numëruar një numër arritjesh në Kosovë në fushën e legjislacionit, në përputhje me planin "Ahtisaari", por bëri me dije se puna këtu nuk ka përfunduar. Ai bëri thirrje për ndërtimin e institucioneve demokratike, të forta dhe transparente dhe që të vazhdohet me zbatimin e plotë të planit "Ahtisaari", përfshirë masat që do t‘u japin më shumë përgjegjësi komuniteteve pakicë në fushën e administrimit lokal. Gjithashtu, zoti Bajden bëri thirrje për vazhdimin e punës në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, të ndërtohet një ekonomi dhe gjithashtu edhe një gjyqësor i pavarur dhe i lirë. Në fjalimin e tij, që u ndërpre disa herë me duartrokitje të deputetëve në sallë, zoti Bajden tha se SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar për Kosovën përmes misionit të KFOR-it, që vazhdon të luajë një rol jetik në krijimin e paqes dhe stabilitetit. Gjithashtu, ai përmendi edhe ndihmën dhe mbikëqyrjen që po bëhet në ndërtimin e një force të re të sigurisë, që ajo të arrijë standardet e NATO-s dhe të jetë e hapur për të gjitha komunitetet e Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›