Britania; Rregulla të reja për emigrimin e studentëve
Të rinjtë shqiptarë, të interesuar për aplikimin e vizave studentore në Angli, do të përballen me rregulla të reja. Sistemi i ri imigrator i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe ka vendosur rregulla të reja për vizat studentore në pranverën 2009, me synim parandalimin e studentëve të rremë. Drejtoria e Migracionit në Ministrinë shqiptare të Punës, bazuar në sistemin imigrator të Mbretërisë së Bashkuar, bëri të ditur dje se “duke nisur nga marsi i këtij viti do të jetë në fuqi “Kolona/Klasa e Studentit” si pjesë përbërëse e sistemit të ri imigrator të Britanisë së Madhe, sistem i përafërt me atë australian, i bazuar në pikëzim”. Të interesuarit që kërkojnë të aplikojnë për një vizë studentore në Mbretërinë e Bashkuar duhet të kenë një sponsorizim/garanci nga një institucion arsimor i licencuar për këtë veprim; të provojnë një ecuri të dëshmuar arsimore; të aplikojnë për një kurs studimor që plotëson një nivel minimal arsimimi; të jetë në gjendje të provojë se mund të vetëmbajë veten dhe personat e tjerë në ngarkim; të ofrojë gjurmët e gishtërinjve. Nga ana tjetër, kolegjet dhe universitetet e Mbretërisë së Bashkuar për të pranuar studentë të huaj, nga shtete joanëtare të BE-së, duhet të marrin një licencë nga Agjencia e Kufirit të Mbretërisë së Bashkuar (UKBA) dhe të marrin përgjegjësi të plotë për studentët e tyre të huaj dhe të ofrojnë sigurinë se janë tërësisht të vetëdijshëm për detyrimet që sjell sponsorizimi i tyre. Rregullat e reja për vizë studentore në Angli përcaktojnë se ofruesit e arsimimit duhet të tregojnë prova të qarta se zotërojnë një akreditim të vlefshëm nga një organ akreditimi, të miratuar nga UKBA-ja. Kolegjet private të akredituara nga organizatat, si më poshtë, “akreditohen” automatikisht: “Accreditation UK”; “British Accreditation Council”; “Accreditation Service for International Colleges”; “Ofsted”. Çdo institucion që dëshiron të aplikojë për t’u përfshirë në Regjistrin e Sponsorit duhet të sigurohet që ky aplikim të plotësohet para marsit 2009.