E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimi; Petrit Brahja vodhi 500 milionë lekë në Bajram-Curri



Njëri prej autorëve të vjedhjes së 500 milionë lekëve në Bajram-Curri në vitin 1998 është ekstraduar nga zyra e Interpol-Tiranës ditën e djeshme. Petrit Brahja ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Shkodër me 10 vjet heqje lirie, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit”. Ai kishte arritur që të vendosej në Paris, ku kishte filluar një jetë të re. Megjithatë, agjentët e Interpol-Tiranës në bashkëpunim me ata francezë arritën që të binin në gjurmët e 39-vjeçarit dhe të bënin të mundur arrestimin dhe më pas ekstradimin tij. Ekstradimi i Brahajt u bë pasi në datën 29.10.1998, rreth orës 01:30, në qytetin e Bajram-Currit, ai së bashku me disa persona të tjerë, kanë vjedhur në bankën e kursimeve të rrethit Tropojë shumën prej rreth 500 milionë lekësh të vjetra. I ekstraduari, në vitin 1998 kryente detyrën e punonjësit të policisë në Bajram-Curri. Ai banonte në fshatin Kërnajë të rrethit të Tropojës. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në datën 28 tetor 1998, kohë kur në bankën e qytetit të Bajram-Currit kishte mbërritur një shumë prej 60 milionë lekësh të reja. Pas veprimeve të rregullta ditore bankare, nga shuma në fjalë kishte mbetur shuma prej 49 milionë e 361 mijë lekësh, bilanc ky i nxjerrë nga punonjësit e bankës, pak çaste para lënies së punës dhe mbylljes së bankës. Të nesërmen në mëngjes, punonjësit e bankës së Bajram-Currit kur kanë shkuar në punë, kanë vënë re se dritarja e bankës ishte hequr dhe kanë vajtur direkt për të verifikuar nëse ndodheshin paratë brenda në bankë, por nuk kanë gjetur asnjë qindarkë nga shuma e parave të lëna një ditë më parë. Menjëherë, këta punonjës kanë lajmëruar policinë për vjedhjen e bankës. Hetimet kanë çuar në konkluzionin se personat që kishin vjedhur të gjitha paratë e bankës, kishin hequr në fillim dritaren e ndërtesës dhe më pas kishin hyrë brenda për të marrë paratë. Gjatë largimit me paratë e bankës, hajdutët kishin harruar të largonin e të fshihnin nga vendi i ngjarjes dritaren e hequr, e cila më pas u mor në cilësinë e provës materiale. Ishte pikërisht kjo dritare, e cila, pasi u mor në analizë nga ekspertët e laboratorit kriminalistik në Tiranë, bëri të mundur identifikimin e personave që kishin vjedhur paratë. Në bazë të shenjave të gishtërinjve u arrit në përfundimin se në dritare kishin mbetur gjurmët e gishtërinjve të dy personave, njëri prej të cilëve ishte polici Petrit Brahaj, ndërsa personi tjetër që ka bashkëpunuar me të pandehurin, ende nuk është identifikuar. Në bazë të ekspertizës kriminalistike, gjurmët e gishtërinjve të mbetura në dritare i përkisnin personave që e kishin hequr atë, pasi, kjo vërtetohej në bazë të formatimit të gjurmëve të lëna. Këto gjithashtu u faktuan edhe nga dëshmitarë okularë, përveç kryerjes së analizave laboratorike. Në bazë të vendimit të gjykatës së apelit në Shkodër, Petrit Brahaj u dënua me 10 vjet heqje lirie, pasi u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit”. Ai iu dorëzua në aeroportin e Rinasit, punonjësve të Drejtorisë së Burgjeve, ku u shoqërua më pas për në qeli, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›